Gjatë vizitës në Kosovë me rastin e mbledhjes së tetë të dy qeverive, kryeministri Edi Rama aktakoi Gjykatën Speciale të Hagës. Procesin, Rama e quajti kundër shqiptarëve dhe për këtë tha se do i drejtohet edhe Këshillit të Europës.
“Së pari po marr pyetjen që ishte shumë serioze që ka të bëjë me Hagën. Ne jemi duke përgatitur një rezolutë për Kuvendin e Shqipërisë dhe unë do të shkoj personalisht në Strasburg në rastin më të parë, shpresoj në shtator për t’iu drejtuar KiE-së, për një fakt që bëhet gjithmonë e më shqetësues, që është pabazueshmëria totale e raportit të Dick Marty dhe influenca ruse mbi këtë.
Akuza e trafikut të organeve është një akuzë e përsëritur edhe në kontekste të tjera nga propaganda ruse. Në KS Rusia ka goditur përsëri me një fjalim të ambasadorit të saj duke u rikthyer te trafiku i organeve.
Ai tribunal është projektuar për t’i dhënë përgjigje akuzave të Dick Martyt, nuk ka asnjë gjë aty, zero. Kemi gjithë të drejtën të besojmë që këtu janë duar aspak dashamirëse me Kosovën dhe shqiptarët që e kanë nxitur këtë raport”.
Më pas u ndal te vizita në Hagë dhe familjen e Hashim Thaçit. “Sa i përket vizitës te prindërit e Presidentit, është shumë personale kjo veçse edhe respekt për ta komentuar gjatë. Marrëdhënia ime me Thacin dihet, kur kam plotësuar formularin, kishte një pyetje se për cfarë arsye dhe e kam shkruar me germa të mëdha: Më ka marrë malli”.
Kur u pyet për marrëdhëniet me Aleksandër Vuçiç, Rama tha se nuk na duhet një Serbi e radikalizuar. “Për të ardhur te pro-serbizmi im, është më shumë se kaq, “jam vëllau i Vuqiqit”. Këndvështrimi im është që nuk na duhet një Serbi e radikalizuar, aq më tepër në kontekstin e sotëm, duhet të rrisim mundësitë të integrojmë këto pjesë të Europës.
Nuk dua të hyj në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë. Nuk besoj që qasja jonë e ndryshme ndaj Serbisë, dëmton qasjen dhe qëllimin përfundimtar. Janë dy rrugë të ndryshme, drejt të njëjtit qëllim, njohja e Kosovës nga Serbia dhe paqja në të gjithë rajonin.
Me Albinin, ne kemi një marrëdhënie që është e kahershme, shumë miqësore dhe që do të jetë e tillë gjithmonë. Ju u duket shaka, por ne jemi njerëz me bindje të forta. Po të jeni, kur jemi bashkë dhe të shikoni volumin e të qeshurave dhe autoironisë, do të thoni nuk qenka vëllai i Vuqiqit dhe jo i Albinit, prandaj më lini të rri vëllau i të dyve” deklaroi ai.