Sot është botuar në Fletoren Zyrtare duke hyrë në fuqi vendimi për çmimin që do të shitet energjia që do të prodhohet nga inceneratori i Elbasanit.
Enti Rregullator i Energjisë (ERE) pasi dëgjoi kërkesat e palëve vendosi që inceneratori i Elbasanit do të shesë energjinë në rrjetin e shpërndarjes me 5.77 lekë/kwh. Impianti i përpunimit të mbetjeve urbane ka një fuqi të instaluar 2850 kw.
“ERE vendosi miratimin e çmimit të shitjes së energjisë elektrike prej 5.77 lekë/kwh, për energjinë elektrike të prodhuar nga impianti i trajtimit të mbetjeve urbane në qytetin e Elbasanit, me kapacitet të instaluar2850 kw” thuhet në vendim.
Shoqëria “Albtek Energy” sh.p.k. është sekuestruar me vendimin nr. 484, datë 13.12.2021, të Gjykatës së Posaçme të Shkallës se Parë Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, dhe për administrimin e saj është caktuar një administrator nga Agjencia e Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe Konfiskuara, pranë Ministrisë së Brendshme.
Pra, thënë me thjeshtë inceneratori i Elbasanit që u vu nën sekuestro pas hetimeve të nisura vitin e shkuar tashmë ka kaluar në pronësi të bashkive të qarkut të Elbasanit, por administrohet nga shteti.
Bashkitë që do të djegin mbetjet në këtë incenerator janë të; Cërrikut, Përrenjasit, Gramshit, Elbasanit, Belshit apo Librazhdit. Pronarët që morën miliona euro për ndërtimin e inceneratorit janë në kërkim, Klodian Zoto dhe Stela Gugallja, ndërkohë që Lefter Koka dhe Alqi Bllako ndodhen në qeli.