-sidi education-spot_img
13.5 C
Tirana
-sidi education-spot_img

Turqishtja në shkolla dhe ndikimi i vizitës së Erdogan në Shqipëri

Kryesoret

Nga Ilda Hoxha

Përfshirja e gjuhës turke në shkolla është një prej marrëveshjeve mes Turqisë dhe Shqipërisë. Marrëveshja u zyrtarizua me VKM thuajse një muaj pas vizitës, që presidenti Erdogan zhviloi në Shqipëri në 17 janar të këtij viti. Faktoje mësoi zyrtarisht nga Ministria e Arsimit dhe Sportit se marrëveshja është ratifikuar edhe nga Turqia dhe tani mbetet hartimi i një plani pune për zbatimin. Por ekspertët theksojnë se duhet bërë një studim, para se të nisë aplikimi në praktikë i projektit.

Në 23 janar të këtij viti u bë publik një e-mail, përmes të cilit Drejtoria Rajonale Arsimore Tiranë kërkonte informacion nga shkollat për numrin e nxënësve që kishin dëshirë të mësonin turqishten si gjuhë të huaj.

Screenshot i email-it të dërguar

Në lidhje me këtë çështje, në fund të muajit janar, ministrja e Arsimit dhe Sportit, Evis Kushi sqaroi se mësimi i gjuhës turke nuk do të jetë me detyrim.

“Në lidhje me gjuhën turke, kemi nënshkruar disa marrëveshje në Turqi, mes tyre edhe një marrëveshje në fushën e arsimit. Jemi angazhuar në këtë marrëveshje që të bëjmë një studim, nëse ka interes për të mësuar turqishten si gjuhë me zgjedhje.

Ne nuk kemi marrë ende një vendim për këtë çështje. Pyetësori ka nisur që në muajin dhjetor, jo pas vizitës së Presidentit turk Erdogan. Sot që flasim, nuk kemi ende vendimmarrje dhe siguroj të gjithë prindërit që nuk do të ketë asnjë imponim për nxënësit për të mësuar gjuhën turke nëse nuk kanë interes”, deklaroi ministrja e Arsimit, Evis Kushi.

Lajmi për përfshirjen e gjuhës turke në shkolla u pasqyrua gjerësisht në media, ku në shumë raste kjo lidhej edhe me vizitën në Shqipëri të Presidentit turk, Rexhep Taip Erdogan. Sipas raportimeve nga media të ndryshme, vizita e presidentit turk më 17 janar përshpejtoi procesin për aplikimin e projektit pilot.

Screenshot nga Google, disa prej lajmeve të publikuara në mediat online në Shqipëri

Komentet në mediat sociale dhe web ishin të shumta në lidhje me përfshirjen e gjuhës turke në shkollat tona. Një pjesë e madhe e komentuesve shpreheshin kundër këtij vendimi.

“Për gjuhën turke në Shqipëri nuk ka asnjë interes, pasi nuk i jep asnjë përparësi atij që e zotëron. Ndryshe me anglishten apo gjuhë të tjera që fliten në shumë vende”, shkruan një prej komentuesve.

Koment në një prej faqeve të web-it

Për mësimin e gjuhës turke në shkolla, Faktoje iu drejtua me një kërkesë për informacion Ministrisë së Arsimit dhe Sportit, ku kërkuam detaje si do të zbatohet kjo marrëveshje në shkollat tona.

Kërkesa për informacion dërguar MASR, 9 maj 2022

Ne morëm një përgjigje nga MASR më 3 qershor, ku bëhet e ditur se pala turke e ka nënshkruar këtë marrëveshje, duke shtuar se Ministria e Arsimit do të hartojë një plan pune për zbatimin e saj.

“Përcaktimi i gjuhës turke në shkolla, është përshirë në marrëveshjen ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës së Turqisë, për bashkëpunimin në fushën e arsimit. Ministria e Arsimit dhe Sportit ka qenë në pritje të ratifikimit të kësaj marrëveshjeje nga Qeveria Turke, për të cilën jemi vënë në dijeni që është nënshkruar. Sa me sipër, nga Ministria e Arsimit dhe Sportit do të ndërtohet një plan pune për të zbatuar pikat e kësaj marrëveshje”, thuhet në përgjigjen e MASR.

Më datë 21 qershor, Faktoje iu drejtua sërish me një kërkesë për informacion Ministrisë së Arsimit dhe Sportit, ku i kërkuam të na vërë në dispozicion marrëveshjen e nënshkruar mes palëve.

Kërkesa për informacion dërguar MASR, 21 qershor 2022

Në përgjigjen e saj në lidhje me këtë çështje, MASR na dërgoi linkun e vendimit nr.107, datë 24.02.2021 të Këshillt të Ministrave “Për miratimin  e marrëveshjes  ndërmjet Këshillit së Minstrave të Republikës së Shqipërisë  dhe Qeverisë së Republikës së Turqisë për bashkëpunimin në fushën e arsimit”, botuar në Fletoren Zyrtare me nr. 32, datë 02.03.2021.

Në marrëveshjen e publikuar në Fletoren Zyrtare më 2 mars 2021 ndër të tjera theksohet:

“Palët do të inkurajojnë mësimdhënien dhe nxënien e gjuhës zyrtare të palës tjetër, si dhe letërsinë dhe kulturën e palës tjetër, brenda sistemit të tyre arsimor. Pala shqiptare synon të kryejë një vlerësim për kërkesat, për të mësuar gjuhën turke si një gjuhë e huaj si lëndë me zgjedhje të lirë, me qëllim shpalljen e një programi pilot në gjuhën turke”.

Në muajin shkurt, në media u raportua se prindërit dhe nxënësit kishin plotësuar një pyetësor për gjuhën e dytë, ku një pjesë e mirë e tyre kishin zgjedhur turqishten si lëndë të dytë me zgjedhje.

Nga ana tjetër, ekspertët pranojnë se interesi për gjuhën turke është i lartë duke argumentuar:

“Interesim ka dhe kjo vjen për shumë arsye, duke filluar nga arsyeja më kulturore që janë telenovelat turke, por ka edhe arsye të tjera. Këtu mund të përmendim dëshirën për t’u arsimuar në Turqi, pasi Turqia jep shumë bursa. Por, edhe aplikimet jashtë sistemit të bursave i ka shumë më të lehta dhe me më pak kosto, sesa të shkosh në një universitetet në vendet perëndimore”, sqarojnë ekspertët.

Ndërsa, eksperti i arsimit, Ndriçim Mehmeti thekson se fillimisht duhet të bëhet një studim për përfshirjen e gjuhës turke në shkolla dhe më pas të nisë zbatimi ose jo.

“Bëhet një studim, bëhet një pilotim, pastaj shihet se cili është interesi. Nëse kanë një interes nxënësit ‘bujrum’ se nuk ka ndonjë gjë të keqe. Nëse ne duam të bëjmë shkollën me 3 gjuhë të huaja, hajde ndryshojmë ligjin. Të themi që ne nuk i pajisim më me 2 gjuhë të huaja, por i pajisim me 3 gjuhë të huaja sipas dëshirës”, argumenton eksperti.

Rritja e ndikimit të Turqisë shfaqet edhe tek investimet në Shqipëri

 Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë, përpunuar nga Monitor, Turqia ishte investitori i tretë më i madh në vendin tonë për vitin 2021, me një fluks investimesh të reja prej 89 milionë eurosh.

“Sipërmarrja turke është e pranishme në Shqipëri me disa ndërmarrje të mëdha në sektorë të rëndësishëm të ekonomisë, si tregu bankar, ai financiar, industrial metalurgjike, energjetika apo ndërtimi”, theksohet ndër të tjera në artikull.

Në janar të vitit 2020, u firmos marrëveshja mes Turqisë dhe Shqipërisë sa i takon ndërtimit të 500 banesave në Laç dhe Thumanë, pas tërmetit të 26 nëntorit 2019. Ndërsa në janar të këtij viti, ishte vetë presdenti turk, Rexhep Taip Erdogan që iu dorëzoi çelësat familjeve të prekura.

Një tjetër kontribut i Turqisë në vendin tonë është spitali Memorial i Fierit. Në prill të vitit 2021, ky spital hapi dyert si pjesë e marrëveshjes mes palëve./ Faktoje

/5pyetjet.al

spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
- Advertisement -spot_img

Më tepër

- Advertisement -spot_img

Lajmet e fundit