-sidi education-spot_img
27.5 C
Tirana
-sidi education-spot_img

Kim Mehmeti: Shqipëria ka arrit deri aty ku ka edhe më keq

Kryesoret

Përderisa shëtit rrugëve të Tiranës nuk mund ta shmangësh ndjenjën se kryeqendra e shqiptarisë e ka harruar fytyrën e vet të vërtetë. Se ashtu si edhe shumë vashat me buzë e gjoks të fryrë – që shëtisin rrugëve të qytetit – me asgjë nuk t’i rikujton ‘prindërit’ që e kanë lindur, por ‘kirurgun’ që ua ka rregulluar pamjen.

Po, Tirana duket si qytet pa të shkuar, e ku banorët e saj të vjetër ngushëllohet me thënien se ka edhe më keq, duke mos guxuar të përballen me të vërtetën se mbase edhe kanë arritur deri aty. Se kjo kryeqendër, njësoj si edhe i tërë mëmëdheu, është bërë pjesë e spektaklit dhe gënjeshtrave ulëritës që kanë për qëllim narkotizimin e popullit, që duan ta mbulojnë kriminalizimin dhe plaçkitjen e vendit, që duan ta fshehin varrosjen e moralit dhe vlerave familjare.

Tirana në të vërtet pasqyron realitetit në të cilin vlerë mbi të gjitha vlerat janë prapanicat e ‘kardashianeve’ tona, ngjarje kulturore janë dasmat e ‘VIP-ave’, ndërsa ditë festive mitingjet partiake, mitingje ku populli lirshëm e jeton varfërinë e vet dhe gjithashtu lirshëm u duartroket politikanëve injorantë e hajdut, atyre që para syve e gënjejnë dhe e plaçkitin.

Dhe nuk ka dyshim se sa më jetëgjatë politikisht do jenë ata që e kriminalizuan Shqipërinë, aq më jetëshkurtër do jetë e vërteta për Tiranën, të cilës ia rrënuan Teatrin Kombëtarë dhe shumëçka që ishte ‘përdhese’, për ta lartësuar me kullat që nuk e lejojnë diellin ta sheh tokën në të cilën thellohen rrënjët shekullore të këtij qyteti.

Po pra, Tirana duket si qytet i zaptuar nga ‘armiku’ që e urren popullin autokton, që bënë çmos që populli vendas të mos e kujtojë të shkuarën e vet, t’i harrojë sunduesit dhe ndërtuesit e vet të mëparshëm.

E ndërkohë, banorët e atyshëm u lodhën duke treguar se cilët janë dhe si janë, mbase pse e shohin dhe ndjejnë se kanë mbetur pa asgjë që do mund të dëshmonte se nga vijnë dhe të kujt janë.

Përderisa njeriu shëtit rrugëve të Tiranës e kupton se ky qytet nuk guxon të ‘tregojë’ se është marr peng nga ata që i pushtuan mediat, nga ata që duan të dëgjohet vetëm e vërteta e tyre. Me çka më së miri dëshmojnë sa nuk e dinë se sundues i gjithëfuqishëm është vetëm ai që ia lejon popullit t’i thotë të gjitha që i mendon.

Pra, Tirana duket si e dhunuar, me asgjë nuk i ngjanë vetvetes, të duket se ka bërë çmos që ta pëlqejnë të huajt e jo shqiptarët, me çka më në fund as ajo vetë të mos ndjehet mirë me atë që është. Me çka pra mbetet pasqyrë ku shihte fytyra e atyre që e duan të ngjiten lartë e më lartë në piramidën pushtetmbajtëse, por duke u zhytur thellë e më thellë në paturpësinë e vet.

Po pra, Tirana vazhdon të ngjitet lartësive qiellore, duke u shkëputur kështu nga e vërteta e saj shqiptare. Dhe sa më shumë ajo lartësohet, aq më e thellë bëhet gropa e krimit ku zhytet Shqipëria, ky ‘kalbet’ mëmëdheu ynë, i drejtuar nga ata që shqiptarinë e kanë vetëm dekor për të dëshmuar se janë mendjehapur dhe më ndryshe se shqiptarët tjerë.

/5pyetjet.al

spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
- Advertisement -spot_img

Më tepër

- Advertisement -spot_img

Lajmet e fundit