Sot në Kuvend po diskutohet projektrezoluta e propozuar nga Partia Socialiste “mbi bazueshmërinë e pretendimeve për trafikimin e paligjshëm të organeve në Kosovë e Shqipëri”. Raporti i vitit 2011 i Dick Marty, asokohe anëtar dhe raportues i Komitetit për Çështje Ligjore dhe të Drejtat e Njeriut në Asamblenë Parlamentarë të Këshillit të Evropës ngrinte pretendime për trajtim çnjerëzor të personave dhe trafikim të paligjshëm të organeve njerëzore që dyshohen të jenë kryer nga pjesëtarë dhe drejtues të UÇK, për të cilat hetuesit ndërkombëtar nuk kanë gjetur prova.
Tashmë qeveria shqiptare ka nisur betejën për miratimin e rezolutës që i kërkon KiE-së që të kërkojë falje. Opozita është dakord për ta votuar, por me një kusht, që të përfshihet në rezolutë edhe gjenocidi serb në Kosovë. Këtu lindi debati.
Edi Rama nuk i kurseu akuzat e forta për opozitën se e përdor Kosovën sa herë ka debate të brendshme dhe i kujtoi Sali Berishës thyerjen e embargos së naftës që furnizoi Millosheviçin. Debatin e bëri me Lulzim Bashën dhe Enkelejd Alibeajn, pasi Sali Berisha ende nuk kishte ardhur.
“Këta (PD) e kanë votuar raportin e Dick Marty në Këshillin e Europës. Njëri nuk kalon dot Oqeanin se të vjen historia përpara, pastaj nuk kalon dot Kanalin e Gjibraltarit se të del historia përpara.
Këta nuk ia përmendin dot emrin Hashim Thaçit, dhe disa e kanë kthyer në tradhtar autokrat që të shkojë ta dënojë sa të ketë fuqi gjykata Speciale, sepse paska dashur t’u ndajë Kosovën, këta që furnizuan makinerinë e Milloshevicit me naftë. Këta që i gjuajnë me gurë njëri tjetrit.
Dhe është shumë e sikletshme sepse të gjithë bashkë duhet të flisnim për këtë dhe me këtë se kjo nuk është rezolutë e zakonshme, është ndryshe nga të tjerat, është fillimi i një rruge që do të shkojë në Strasburg.
Kjo synon të lëvizë Këshillin e Europës dhe jo ujërat e kënetës së ndenjur të SHQUP-it. Këta nuk kanë atdhe. Kështu i ka mësuar baca, por tani i ka ndarë Amerika, janë disa që nuk kanë frikë nga Amerika. Barbar firmato të gjithë” u tha Rama.