Individë dhe kompani nga “lista e zezë” e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, të cilat u sanksionuan nga Uashingtoni për shkak të dyshimeve për krim të organizuar ndërkombëtar, marrin miliona nga buxheti i shtetit serb, tregon një hulumtim i Radios Evropa e Lirë.
Sanksionet e Departamentit të Financave të SHBA-së, të cilat u shqiptuan në dhjetor të vitit 2021 kundër 13 shtetasve të Kosovës me kombësi serbe dhe mbi 20 kompanive të lidhura me ta, nuk janë të detyrueshme për vendet e tjera.
Megjithatë, pas publikimit të “listës së zezë” të Uashingtonit, kompanitë nuk morën punë nga Qeveria e Kosovës, por Beogradi zyrtar bashkëpunon me to.
Serbia, e cila financon institucionet e saj paralele në Kosovë – komuna, shkolla e spitale – që nga vendosja e sanksioneve amerikane deri në korrik të këtij viti, i dha njërës prej këtyre kompanive më shumë se 20 punë, me vlerë mbi 7.5 milionë euro.
Kompania në fjalë është “Rad 028” nga Zveçani – komunë në veri të Kosovës – në pronësi të Radulle Steviqit.
Emri i kompanisë së Steviqit ndodhet në tabelat e ndërtimit në të gjithë veriun e Kosovës, bashkë me stemën e Serbisë.
Për vetëm një ditë, kompanisë së Steviqit iu besua një punë në vlerë mbi 4 milionë euro: ndërtimi i dhjetë objekteve banesore në Mitrovicën e Veriut dhe dy në Zveçan.
Si Steviq, ashtu edhe kompania e tij janë nën sanksionet e SHBA-së, për shkak të lidhjes së dyshuar me Zvonko Veselinovqin.
Shtetet e Bashkuara të Amerikës e etiketuan Veselinoviqin si udhëheqës të një grupi të organizuar kriminal dhe si njërën nga figurat më famëkeqe të korrupsionit në Kosovë, ndërsa Millan Radoiçiqin si zëvendës të tij.
Kompanitë në pronësi të Zvonko Veselinoviqit dhe Millan Radoiçiqit, sipas dokumenteve të siguruara nga Radio Evropa e Lirë, nuk kanë kontraktuar punë në Kosovë që paguhen nga buxheti i Serbisë, as para dhe as pas sanksioneve amerikane.
Por në Serbi, edhe pas këtyre sanksioneve, atyre iu dhanë punë në vlerë prej miliona eurosh. Pesë kontrata për riparimin e rrugëve lokale në jugperëndim të Serbisë iu dhanë kompanisë së tyre “Novi Pazar put”, ndërsa “Betonjerka Aleksinac” prodhon shtylla për linjat e transmetimit për Kompaninë shtetërore të Energjisë Elektrike të Serbisë.
Kush janë Veselinoviq dhe Radoiçiq?
Zvonko Veselinoviq është biznesmen nga veriu i Kosovës, ndërsa Millan Radoiçiq është nënkryetar i Listës Serbe – parti e serbëve në Kosovë, e cila mbështetet nga Qeveria aktuale e Serbisë. Lista serbe është në pushtet në dhjetë komuna të Kosovës me shumicë serbe.
Radoiçiq është në arrati nga autoritetet e Kosovës për shkak të akuzave për korrupsion, ndërsa ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla, e ka cilësuar si njërin nga udhëheqësit e strukturave kriminale në veri të Kosovës.
Prokuroria e Kosovës lidh Veselinoviqin dhe Radoiçiqin me vrasjen e politikanit serb nga veriu i Kosovës, Oliver Ivanoviq. Ata janë përmendur si organizatorë të dyshuar të grupit kriminal, por ndaj tyre nuk është ngritur asnjë akuzë, pasi në atë kohë ata kanë qenë në arrati. Ligji i Kosovës nuk e lejon ngritjen e akuzave kundër të arratisurve, përveç nëse ata janë hetuar edhe më parë.
Lista Serbe i ka hedhur poshtë të gjitha akuzat kundër Radoiçiqit, ndërsa edhe vetë Radoiçiq ka folur për rastin Ivanoviq, duke thënë se ai “nuk ishte miku më i ngushtë” i tij, por se ai “nuk është vrasës” dhe se “nuk ka lidhje me vrasjen” e politikanit.
Nga 10 euro deri në “milionin e parë” – brenda një viti
Çfarë mund të bësh me një mijë dinarë të Serbisë, apo rreth 10 euro?
Me këtë kapital fillestar, Steviq hapi kompaninë ndërtimore “Rad 028” në Zveçan, në janar të vitit 2014, tregojnë të dhënat e regjistrit tregtar të Serbisë.
Dhe, vetëm një vit pasi themeloi kompaninë me kapital modest, ai filloi të fitonte tenderë të mëdhenj. Në numrin më të madh të rasteve, kompania “Rad 028” ishte e vetmja që u paraqit në konkurse të strukturave paralele të Serbisë në Kosovë.
Punët, kryesisht në veri të Kosovës, paguheshin nga buxheti i Serbisë. Vetëm në vitin 2015 janë lidhur kontrata me vlerë gati një milion euro.
Në regjistrin e prokurimeve publike për vitin 2015, në të cilin REL ka pasur qasje, ka punime në vlerë prej së paku 950 mijë eurosh – kryesisht në Mitrovicën e Veriut: nga ndërtimi i banesave në Lagjen e Boshnjakëve, tri shtëpive dhe një çerdheje për fëmijë deri te riparimi i konviktit studentor “Prishtina”.
Bizneset në Kosovë – siç është e rregulluar me vendim të Qeverisë së Serbisë – janë të liruara nga tatimi mbi vlerën e shtuar (TVSH), i cili arrin në 20 për qind.
Steviq nuk iu përgjigj as thirrjeve, as mesazheve të REL-it me pyetjen se si ka arritur nga dhjetë euro kapital në punë prej milionash. Pa përgjigje mbeten edhe pretendimet jozyrtare se Steviq është i lidhur me Millan Radoiçiqin dhe Listën Serbe dhe se tenderët në veri të Kosovës manipulohen.
Në pyetjen për tenderët nuk u përgjigjën as Zyra për Kosovën e Qeverisë së Serbisë dhe as katër komunat nga veriu i Kosovës, të cilat janë pjesë e institucioneve paralele të Serbisë.
“Rad” punon për shtetin e Serbisë, kontratat rriten
Të ardhurat e kompanisë “Rad” dhe kontratat me shtetin e Serbisë vazhduan të rriteshin edhe në vitet në vazhdim.
Sipas një analize të Radios Evropa e Lirë, kompania, nga viti 2016 deri në vitin 2019, ka lidhur marrëveshje në vlerë prej së paku 8.5 milionë eurosh me institucionet paralele në Kosovë, që operojnë në sistemin serb.
Se çdo vit ka qenë “më i mirë” dëshmohet edhe nga bilancet vjetore të atyre kontratave – nga punë me vlerë 573 mijë euro në vitin 2016 në punë prej 5.2 milionë eurosh në vitin 2019, tregojnë të dhënat e ofruara nga Zyra e Prokurimit Publik e Serbisë për Radion Evropa e Lirë.
Qendra studentore “Prishtina” në Mitrovicën e Veriut ka qenë një nga projektet kyçe gjatë atyre katër vjetëve, me investime mbi 685 mijë euro, ndërsa “Rad” ka marrë edhe kontrata të tjera – nga riparimi i rrugëve në veri të Kosovës dhe ndërtimi i apartamenteve deri te prokurimi i pajisjeve kompjuterike për universitetin.
Në dhjetor të vitit 2019, “Rad”-it i është besuar edhe ndërtimi i stadiumit të futbollit në Mitrovicën e Veriut – kontratë në vlerë prej 1.3 milion eurosh.
Atë vit, kryetar i klubit të futbollit të qytetit, Trepça, ka qenë Millan Radoiçiq, ashtu si edhe i Federatës së Futbollit të Kosovës në sistemin serb.
Më 26 shtator të vitit 2019, Radoiçiq u zëvendësua nga Goran Rakiq (kryetari i atëhershëm i Komunës së Mitrovicës së Veriut dhe kryetari i Listës Serbe) në krye të klubit Trepça. Ndërsa, më 28 nëntor të po atij viti, Radoiçiq u largua edhe nga Federata e Futbollit.
Përfundimi i ndërtimit të stadiumit, sipas zyrtarit lokal, Aleksandar Spiriq, është planifikuar për gjysmën e parë të vitit 2022. Por, në vendin e stadiumit të ardhshëm aktualisht ndodhet një ekskavator, që pastron një livadh. Stadium nuk ka.
Biznesi “lulëzon” gjatë pandemisë së koronavirusit
Pandemia e koronavirusit, me sa duket, nuk e ka ngadalësuar lulëzimin e kompanisë së Steviqit. Raporti financiar i “Rad 028” për vitin 2020, i cili është dorëzuar në Agjencinë për Regjistrat e Bizneseve të Serbisë, tregon të hyra në vlerë prej më shumë se 15 milionë eurosh.
E, të dhënat e Administratës së Thesarit të Serbisë, të analizuara nga REL, tregojnë se në atë kohë klienti më i madh i kësaj kompanie ishte shteti i Serbisë. Në vitin 2020, kompanisë i janë paguar së paku 13.3 milionë euro nga arka e shtetit serb.
Sipas të dhënave zyrtare, “Rad 028” ka pasur mesatarisht 17 punonjës atë vit.
Shtatë kontrata me komunat në veri të Kosovës, nga buxheti i Serbisë, janë lidhur edhe gjatë gjendjes së jashtëzakonshme në Serbi, të shpallur për shkak të pandemisë së koronavirusit, përkatësisht në periudhën mars-maj 2020.
Cilat kontrata janë lidhur më 2020?
Përveç tjerave, “Rad 028” është angazhuar në ndërtimin e shtëpive në Zubin Potok, të një shkolle fillore në Dren, të një rrethrrotullimi në veri të Mitrovicës dhe në riparimin e rrugëve lokale.
Në të njëjtin vit, pas përfundimit të gjendjes së jashtëzakonshme, “Rad”-it i është besuar edhe mobilimi i konviktit të nxënësve në Leshak, ndërtimi i katër objekteve katërkatëshe në veri të Mitrovicës, i urës së re mbi lumin Ibër dhe i një kishe në varrezat në Rudar të Madh, si dhe sigurimi i pajisjeve për prodhimin e rakisë për Manastirin Duboki Potok.
Për shkak të pandemisë është shfaqur nevoja edhe për një objekt tjetër – laborator për teste PCR – në Qendrën Shëndetësore në Mitrovicën e Veriut. Këtë punë, me vlerë prej 100 mijë eurosh, e ka fituar kompania “Rad” pa konkurs.
Mbi 60 kontrata – me vlerë prej së paku 20 milionë eurosh – është bilanci i biznesit të Steviqit me shtetin e Serbisë gjatë vitit 2021, para se Shtetet e Bashkuara të vendosnin sanksione kundër tij, më 8 dhjetor.
Cilat kontrata janë lidhur më 2021?
Nga “Rad 028”, institucionet serbe në veri të Kosovës kanë bërë blerje të ndryshme: fidanë, materiale ndërtimi për renovim shtëpish, traktorë, mobilie për zyra dhe pajisje për bletari e verari.
Kompania është angazhuar edhe në asfaltimin e rrugëve lokale dhe në ndërtimin e shtëpive dhe të rrjeteve energjetike në veri të Kosovës, në ndërtimin e një ure mbi Ibër në fshatin Dren, ndërsa në Mitrovicën e Veriut ka kontraktuar ndërtimin e shtatë objekteve të banimit, të selisë së re të universitetit, rikonstruksionin e ndërtesës së mjekësisë fizike në kompleksin spitalor dhe kompletimin e “Qendrës multimediale interaktive”.
Nga vendosja e sanksioneve deri në korrik të vitit 2022, përveç kontratave milionëshe për ndërtimin e objekteve të banimit, “Rad” ka kontraktuar edhe mbi 20 punë.
Ato, mes tjerash, përfshijnë renovimin e infermierisë në Soçanicë, të qendrës sportive në Zubin Potok, të kopshtit në vendbanimin Badovc dhe blerjen e agregateve për qendrën shëndetësore në veri të Mitrovicës.
“Rad” ka marrë para edhe nga buxheti i Kosovës
Radulle Steviq ka marrë para edhe nga buxheti i Qeverisë së Kosovës për projekte, përmes dy kompanive të hapura në sistemin e Kosovës: “Rad D.O.O” dhe “P.T.P Rad”, tregojnë të dhënat nga viti 2018 deri më 2021, të analizuara nga Radio Evropa e Lirë.
Gjatë kësaj periudhe, këto dy kompani kanë lidhur 70 kontrata me institucionet e Qeverisë së Kosovës për projekte në veri të Kosovës, në vlerë prej rreth shtatë milionë eurosh.
Tenderët janë shpallur kryesisht nga komunat në veri – përkatësisht institucionet që janë të integruara në sistemin e Kosovës: Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok.
Tenderin e fundit, Steviq e ka fituar në shtator të vitit 2021, ndërsa pas sanksioneve nga SHBA-ja, Qeveria e Kosovës nuk i ka dhënë më punë. Ministria e Infrastrukturës e ka përjashtuar “Rad”-in nga puna e kontraktuar për mirëmbajtjen e rrugëve nacionale dhe rajonale.
Derisa ka marrë punë nga Qeveria e Kosovës, projektet kanë qenë shumë të ngjashme me ato që ka financuar Serbia në veri: riparim i rrugëve lokale, ndërtim i rrjetit energjetik apo punime në rrugën kryesore të “Kral Petrit” në Mitrovicën e Veriut.
Të dyja shtetet kanë financuar gjithashtu punimet në shkollat fillore “Sveti Sava” dhe “Branko Radiçeviq” në Mitrovicën e Veriut dhe ndërtesat komunale në Leposaviq dhe Zubin Potok.
REL nuk ka arritur të përcaktojë nëse kompanitë e Steviqit janë paguar dy herë për të njëjtat projekte – nga buxhetet e Serbisë dhe Kosovës. As Zyra për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, as strukturat paralele komunale të Serbisë në Kosovë nuk kanë dhënë përgjigje në këtë pyetje.
Deri në publikimin e këtij teksti, as Qeveria e Kosovës nuk i është përgjigjur pyetjes për tenderët e “Rad”-it.
Veselinoviq dhe Radoiçiq në biznes me shtetin
Në Serbi, makineritë nën udhëheqjen e Radoiçiqit dhe Veselinoviqit kanë bërë punë ndërtimore për shtetin. Radio Evropa e Lirë ka analizuar skemën dhe biznesin e tyre.
Ka qenë tetori i vitit 2019 kur “Betonjerka Aleksinac”, një kompani në borxhe nga jugu i Serbisë, është bërë me pronarë të rinj.
Këtë kompani shtetërore të falimentuar e ka blerë në atë kohë “Inkop”, një kompani ndërtimore, pronarë të së cilës janë Zvonko Veselinoviq dhe vëllai i tij Zharko, si dhe Millan Radoiçiq.
Me pronarët e rinj, gjatë viteve 2020 dhe 2021, “Betonjerka” ka nënshkruar kontrata të mëdha me shtetin serb dhe të ardhurat e kompanisë kanë filluar të rriten.
Gjatë vitit 2019, kompania ka pasur 325.000 euro të ardhura, ndërsa në fund të vitit 2020, të ardhurat i janë rritur në 1.4 milion euro.
Vitin e kaluar, kur pronarët dhe kompania janë futur në listën e zezë të SHBA-së, “Betonjerka” ka pasur të ardhura prej 2.1 milionë eurosh.
Në tenderët shtetërorë, “Betonjerka Aleksinac” nuk ka marrë pjesë e vetme, por me një grup kompanish dhe kanë qenë të vetmit ofertues. Pronarët e këtyre kompanive kanë qenë edhe më herët partnerë afaristë të Veselinoviqit dhe Radoiçiqit.
Në dy vjetët e mëparshëm janë kontraktuar katër punë ndërtimi me Elektro-distribucionin e Serbisë, çmimi i vlerësuar i të cilave ka qenë mbi 20 milionë euro. Kompanisë “Betonjerka”, siç shihet nga dokumentet, i është besuar prodhimi i shtyllave prej betoni për linjat e transmetimit.
Para për rrugët lokale në jugperëndim të Serbisë
“Betonjerka Aleksinac” është në mesin e pesë kompanive të Veselinoviqit dhe Radoiçiqit, të themeluara në Serbi, të cilat gjenden nën sanksionet e SHBA-së nga dhjetori i vitit 2021.
Në listën e zezë është edhe “Novi Pazar put”, kompani ndërtimore, e cila ka marrë punë edhe nga institucionet e Serbisë. Nga vendosja e sanksioneve amerikane deri në korrik të vitit 2022, kjo kompani ka fituar së paku pesë kontrata: në Novi Pazar, Tutin, Vërnjaçka Banja dhe Kralevë.
Puna më e vlefshme e saj, prej 1.8 milion eurosh, është ndërtimi i unazës rreth Novi Pazarit, e cila është kontraktuar nga kompania publike “Putevi Srbije”.
Sipas të dhënave nga regjistri tregtar, të ardhurat nga biznesi i kompanisë për vitin 2021 kanë qenë 42.6 milionë euro.
Radoiçiq dhe Veselinoviq kanë blerë kompaninë “Novi Pazar put” në janar të vitit 2020 dhe, në fund të atij viti, kompania ka pasur 27.4 milionë euro të ardhura. Me pronarët e rinj, të ardhurat janë rritur për mbi 50 për qind (dhjetë milionë euro), krahasuar me vitin 2019.
Në vitin kur vëllezërit Veselinoviq dhe Radoiçiq janë bërë pronarë të kompanisë, “Novi Pazar put” ka nënshkruar kontrata prej milionash me shtetin serb – ndër të tjera edhe për mirëmbajtjen e rrugëve lokale në Vërnjaçka Banja, Tutin dhe Novi Pazar.
Kontrata më e vlefshme është bërë me qytetin e Kralevës, në vlerë prej 2.6 milionë eurosh, për ndërtimin e rrugëve në vendbanimin “Voqareve Livade”, ku janë duke u ndërtuar banesa për pjesëtarët e forcave të sigurisë.
Ndërtimi i këtyre banesave, siç përshkruhet nga një ligj i posaçëm në Serbi, është pjesë e një projekti “të rëndësishëm për forcimin e sistemit të sigurisë kombëtare”.
Në nëntor të viti 2020, “Novi Pazar put” dhe një grup kompanish kanë fituar tenderin nga Ministria e Ekonomisë e Serbisë, në vlerë prej 304 mijë eurosh, për riparimin e rrugës lokale në Kopaonik.
Kjo rrugë çon edhe në hotelin “Grey” në Kopaonik, i cili është në pronësi të Veselinoviqit dhe Radoiçiqit.
Gurëthyesit, në të cilët Radoiçiq dhe vëllezërit Veselinoviq kanë pjesë, kanë qenë po ashtu të përfshirë në punë me shtetin. Gurëthyesit janë pjesë e kompanisë ndërtimore “Granit-peshçar”. REL ka raportuar qysh në shkurt të vitit 2020 se kompania ka shkelur rregulloret dhe ka vazhduar me punën, pavarësisht ndalesës nga inspektorët.
Hulumtimi gjithashtu ka gjetur se si “Granit-peshçar” ka siguruar materiale ndërtimore për ndërtimin e seksioneve të autostradës ndërkombëtare Beograd – Adriatiku Jugor (Korridori 11).
REL ka tentuar të kontaktojë Radoiçiqin përmes Listës Serbe dhe avokatit të tij në Kosovë, Zhivojin Jokanoviq, por pa sukses.
Pyetjeve të REL-it për punët e Radoiçiqit dhe Veselinoviqit nuk u janë përgjigjur as Lista Serbe, as “Betonjerka Aleksinac”, as “Novi Pazar put” dhe as “Inkop”.
Nga Qeveria e Serbisë, po ashtu, nuk i janë përgjigjur pyetjes nëse kanë konsideruar ndërprerjen e kontratave me kompani dhe individë nga lista e zezë amerikane.
Nga arka e Serbisë, 2.5 milionë euro për restorant dhe shtëpi mallrash
“Cilësia që meritoni” është slogani që përdor shtëpia e mallrave “Metal” nga veriu i Kosovës – në pronësi të Sinisha Nedelkoviqit – për t’u prezantuar në rrjetet sociale.
Nedelkovq, i cili është nën sanksionet e SHBA-së për shkak të lidhjeve të supozuara me Zvonko Veselinoviqin, përballet edhe me aktakuzë në Kosovë.
Prokuroria në Mitrovicë ka bërë të ditur për REL-in se kundër Nedelkoviqit ekziston një rast aktiv – ai akuzohet për tentim-vrasje, prodhim dhe shitje të paautorizuar të drogës dhe posedim të paautorizuar të armëve.
REL nuk ka arritur të bjerë në kontakt me Nedelkoviqin. Në mesazhet e shkëmbyera me REL-in, djali i tij, Stefani, ka thënë se babai i tij është “jashtë vendit” dhe se do t’ia përcjellë kërkesën e REL-it. Përgjigje tjetër nuk ka pasur.
Përderisa autoritetet e Kosovës e akuzojnë për krime të rënda, në sistemin serb, Sinisha Nedelkoviq është sipërmarrës, të cilin dikur e ka vizituar një përfaqësues i autoriteteve nga Beogradi. Lista Serbe nuk i është përgjigjur pyetjes së REL-it nëse ai është anëtar i saj.
Në media është prezantuar si pronar i shtëpisë së parë të mallrave në veri të Kosovës, pas luftës së vitit 1999.
Një dyqan i “Metal”-it është në Zveçan, në një ndërtesë trekatëshe në qendër, ndërsa tjetri është në qendër të Mitrovicës së Veriut. Nedelkoviq është pronar edhe i sallës së festave në katin e fundit të dyqanit në Zveçan dhe i restorantit “M”.
Sipas të dhënave të regjistrit tregtar të Serbisë, Nedelkoviq e ka filluar biznesin e tij në vitin 2000, me hapjen e dyqanit të pajisjeve “Metal” në Zveçan. Pesë vjet më vonë është themeluar kompania “Metal-robna kuqa D.O.O”, me kapital fillestar prej rreth 400 eurosh.
REL ka analizuar pagesat e institucioneve, të cilat financohen nga buxheti i Serbisë, në llogaritë e kompanisë së Nedelkoviqit gjatë dhjetë vjetëve të fundit – nga viti 2012 deri në fund të vitit 2021.
Për këta dhjetë vjet, sipas Administratës së Thesarit të Serbisë, kompanisë së Nedelkoviqit “Metal-robna kuqa” i janë paguar së paku 2.5 milionë euro nga buxheti i Serbisë.
Shtëpinë e mallrave “Metal” e ka vizituar në vitin 2013 Aleksandar Vulin, atëbotë ministër për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, ndërsa sot ministër i Brendshëm i këtij vendi.
Në vitin 2013, shtëpia e mallrave “Metal” ka marrë rreth 7 mijë euro nga llogaritë e institucioneve paralele serbe në Kosovë, ndërsa vitin pasues kjo shumë është rritur në mënyrë drastike – në mbi 600 mijë euro.
Një nga vitet më të suksesshme në biznes me shtetin e Serbisë për Sinisha Nedelkoviqin ka qenë viti 2019. Asokohe, ai është paguar pak më pak se 450.000 euro nga llogaritë shtetërore të Serbisë. Të ardhurat totale nga biznesi i kompanisë “Metal” atë vit kanë qenë 3.7 milionë euro, sipas të dhënave të regjistrit tregtar të Serbisë.
Vitin e kaluar, kompania ka marrë mbi 85.000 euro nga institucionet e shtetit serb dhe më shumë se 20 pagesa janë bërë pas vendosjes së sanksioneve amerikane kundër Nedelkoviqit dhe kompanisë së tij.
Kush tjetër është në listën e të sanksionuarve?
Përveç vëllezërve Zvonko dhe Zharko Veselinoviq dhe Millan Radoiçiqit, si dhe sipërmarrësve të përmendur, Radulle Steviq dhe Sinisha Nedelkoviq, nën sanksionet e SHBA-së janë edhe tetë persona të tjerë.
Në listë është edhe Zhelko Bojiq, ish-shef i operativës së Policisë së Kosovës për veriun, i cili nga Prokuroria Speciale e Kosovës lidhet me vrasjen e politikanit Oliver Ivanoviq.
Një tjetër person i sanksionuar, Marko Roshiq, është në mesin e të akuzuarve në rastin e vrasjes së Ivanoviqit, i cili po gjykohet para gjykatës në Prishtinë.
Departamenti Amerikan i Thesarit ka emëruar edhe gjashtë bashkëpunëtorë të tjerë që kanë punuar për Veselinoviqin ose në emër të tij: Andrija Bojiq, Sërgjan Vulloviq, Millan Mihajlloviq, Millan dhe Millojko Radisavleviq dhe Radovan Radiq.
Shtohet se grupi kriminal i Veselinoviqit dyshohet se është i përfshirë në një skemë të gjerë të ryshfetit, së bashku me zyrtarë të sigurisë në Kosovë dhe Serbi, të cilët lehtësojnë tregtinë e paligjshme të mallrave, parave, narkotikëve dhe armëve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë./ REL