Ish-president Ilir Meta u shpreh sot se nuk do të rikthehet në krye të LSI-së. Por cili do të jetë roli i tij në politikën aktive?
Ai la të kuptohet se mund të krijojë një forcë tjetër politike dhe LSI të shkrihet, kur u shpreh se “LSI nuk është më një forcë politike që mund të ndryshojë fatet e vendit, sikur ishte një nga rolet dhe misionet e LSI-së”.
Për emër partie nuk foli, por për lëvizjen po; nisma për rikthimin e referendumit. Në konventën e pasdites priten më shumë detaje nga lëvizja e re.
“Unë jam këtu për t’i falënderuar anëtarët e LSI-së për të gjitha sakrificat e tyre të jashtëzakonshme dhe kam besim në angazhimin e tyre edhe në të ardhmen për çështje edhe më madhore, me të cilat ndeshet vendi ynë, kemi një ndryshim të rrethanave historike nga momenti kur u krijua LSI.
Nuk është më një forcë politike ajo që mund të ndryshojë fatet e vendit, sikur ishte një nga rolet dhe misionet e LSI-së përmes krijimit të saj për të qenë një forcë që ndihmonte për zhbllokimin e ngërçeve artificiale që krijonin dy forcat tradicionale.
Tani ka ardhur momenti për një transformim të sistemit në vend dhe populli i jashtëzakonshëm i 2 marsit të nisë rrugën e tij, të shumëfishohet ditë pas dite dhe sa më shpejt të triumfojë referendumi, që do të vendosë nën kontrollon këtë klasë politike të papërgjegjshme. Kjo do të ndodhë shumë shpejt dhe jam i bindur” tha ai.