Kreu i Grupit Parlamentar të PD-së Enkelejd Alibeaj, përmes një postimi në Facebook ka reaguar në lidhje me vrasjen e poetit Havzi Nela.
“34 vite më parë, në grahmat e fundit regjimi komunist vrau poetin e lirisë Havzi Nela.
Historia e gjatë dhe e dhimbshme e dikaturës komuniste në Shqipëri, në ditët e fundit të saj nuk kurseu jetën e mësuesit patriot dhe njeriut të letrave, duke e dënuar me varje në litar. Është për të ardhur keq, që sot, pak më shumë se tri dekada nga vrasja e Havzi Nelës, ëndërrat dhe sakrifica e tij janë ende prezent në zhvillimet shqiptare.
Ende sot mbeturina të regjimit dhe nostalgjikë të dëshpëruar përpiqen të risjellin copëza të asaj diktature që shkatërroi Shqipërinë dhe të ardhmen e shqiptarëve për më shumë se gjysëm shekulli.
Në përvjetorin e vrasjes së poetit me shpirtin e lirë, është e rëndësishme të reflektojmë mbi vlerat e munguara të shoqërisë dhe politikës tonë, që ende pas 30 vitesh nuk ka qenë e aftë të marrë përgjegjësitë e së shkuarës për të ndërtuar të ardhmen mbi themele të sigurta.
Kjo mbetet ende një sfidë për të cilën përgjegjësia nuk duhet të mungojë kurrë”, shkruan Alibeaj.