Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS), më 27 tetor 2022 ka kërkuar vazhdimin e masës së paraburgimit ndaj Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit të cilët akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.
ZPS me anë të një parashtrese drejtuar gjykatësit të procedurës paraprake, ka thënë se ekziston rreziku i arratisjes, pengimit të procedurave dhe kryerjes së krimeve të tjera ndaj atyre personave që konsiderohen si kundërshtarë të UÇK-së, duke përfshirë dëshmitarë potencial.
Më 29 prill, Zyra e Prokurorit të Specializuar ka dorëzuar një aktakuzë të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit, raporton “Betimi për Drejtësi“.
Prokuroria po pretendon se katër të akuzuarit kanë kryer krime lufte edhe në Gjilan, Budakovë e Semetishtë.
Në aneksin e publikuar sa i përket krimeve që pretendohen se ndodhën në Semetishtë dhe Budakovë, prokuroria ka listuar krimet e luftës si arrestimi dhe ndalimi i paligjshëm ose arbitrar, trajtim mizor ose çnjerëzor, torturë, vrasje. Ndërkaq, si krime kundër njerëzimit i ka listuar burgimin, vepra të tjera çnjerëzore, torturën, vrasjen, zhdukjen e personave me forcë dhe persekutimin.
Kurse, për krimet që pretendon që ndodhën në Gjilan, si krime lufte i ka listuar arrestimi dhe ndalimin e paligjshëm ose arbitrar, trajtimin mizor ose çnjerëzor, torturën dhe vrasjen. Ndërsa, si krime kundër njerëzimit ka listuar burgimin, vepra të tjera çnjerëzore, torturën, vrasjen dhe persekutimin./Express