Ishte një udhëtim i guximshëmm pothuajse i padëgjuar për një president amerikan. Duke u shfaqur në një zonë lufte nën sulme të rregullta, zyrtarët e Shtëpisë së Bardhë e përshkruajnë vizitën e papritur të Joe Biden në kryeqytetin e Ukrainës, Kiev si “të paprecedentë për kohët moderne”.
Ata thonë se udhëtimet e mëparshme presidenciale në Irak dhe Afganistan gjatë kohës së luftës kishin mbështetjen e një pranie të madhe ushtarake amerikane. Dhe pavarësisht spekulimeve të përhapura në mesin e trupave të shtypit se zoti Biden mund të planifikonte një udhëtim në Ukrainë ndërsa ishte në Poloni, vizita i befasoi të gjithë.
Fotoja e tij duke u shfaqur pranë Presidentit Volodymyr Zelensky në zemër të Kievit dhe nën tingujt e sirenave të sulmit ajror, është një deklaratë më e fortë se çdo gjë që ai mund të ketë thënë në një fjalim në Poloni.
Udhëtim pa telefona
Biden ishte planifikuar të fluturonte nga SHBA në Varshavë të hënën në mbrëmje, për një udhëtim dy-ditor. Orari paraprak kishte dy boshllëqe të dyshimta të gjata në itinerarin e tij, dhe shumë pyesnin veten nëse mund të ishte koha kur ai do të shkonte në Ukrainë.
Vendimi përfundimtar për të bërë udhëtimin në Kiev u mor vetëm të premten, edhe pse ishte planifikuar prej muajsh me një pjesë të vogël të ndihmësve kryesorë të presidentëve.
Biden në Kiev, si arriti dhe kush e shoqëroi? Mesazhet e një vizite historike
Presidenti Biden më pas kaloi mbi 10 orë në një tren për të shkuar në Kiev. Ai mund të kishte vizituar vende të tjera brenda Ukrainës që do të kishte qenë më e lehtë për t’u arritur, por ai donte ta bënte vetë udhëtimin simbolik në Kiev.