Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka njoftuar rreth takimit të zhvilluar ditën e sotme me ambasadorët e Kosovës në lidhje me bisedimet e Ohrit.
Në njoftim thuhet se në Aneksin e dakordsuar në Ohër Kosova dhe Serbia angazhohen plotësisht për t’i respektuar të gjitha nenet e Marrëveshjes dhe Aneksit, dhe për t’i zbatuar të gjitha detyrimet e tyre përkatëse që rrjedhin nga Marrëveshja dhe Aneksi në mënyrë të përshtatshme dhe në mirëbesim.
Kreu i ekzekutivit ka folur po ashtu edhe për synimin e Kosovës për t’u bërë pjesë e Këshillit të Evropës.
“Aty po ashtu thuhet se Kosova dhe Serbia pajtohen që të gjitha nenet të zbatohen në mënyrë të pavarur nga njëra-tjetra. Kryeministri Kurti theksoi se delegacioni i Republikës së Kosovës kanë qenë maksimalisht të përkushtuar dhe konstruktiv, por edhe kreativ me oferta e propozime që u refuzuan nga pala tjetër, e cila, sikurse në Bruksel me 27 shkurt, përsëri refuzon të nënshkruajë. Rruga për procedimin e aplikimit të Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës dhe në Bashkimin Evropian është e hapur.”
“Sa i përket anëtarësimit në Këshillin e Evropës, Kosova tashmë ka numrin e nevojshëm të votave të shteteve anëtare, ndërkohë që departamenti ligjor i Këshillit ka konfirmuar se nuk ka asnjë pengesë juridike për anëtarësimin e plotë të Republikës së Kosovës në këtë organizatë të rëndësishme,” thuhet nga Kryeministria.
Më 18 mars, Kosova dhe Serbia ranë dakord për një marrëveshje por nuk pati asnjë nënshkrim.