Autori i dyshuar për vrasjen e Behar Sofisë i cili ndodhet në burg është shprehur se kishte marrë edhe një tjetër porosi që të vriste një person por gjë që nuk ndodhi pasi sipas tij nuk e kishte studiuar mire zonën.
Sipas rrëfimit të Ernejt Shyti ai ishte porositur të vriste një 34 vjeçar i cili jetonte në Kamëz, pranë komisariatit të policisë.
Në deklaratën e tij ai tregoi se pasi ekzekutoi Sofinë në anë të Lanës në Tiranë, kishte marrë porosi nga Bujar Leza për të kryer një tjetër vrasje.
“Pasi u vra Behar Sofia, kishim porosi tjetër nga Bujar Leza. Do të bënim një vrasje në Kamëz, shenjestra ishte një person 34 vjeç që e kishte shtëpinë në Kamëz, shumë pranë komisariatit të Policisë. Këtë vrasje do e bënte Xhulian Visha, por zona ishte shumë e monitoruar dhe ndaj paguhej shumë lekë. Nuk u arrit qëllimi sepse duhej studiuar mirë zona, ishte tepër e vështirë,” u shpreh Shyti.
Edhe më herët, Shyti ka zbuluar se të njëjtat persona që e kishin paguar për këtë atentat, i kishin ngarkuar dhe një tjetër detyrë.
Ai ka thënë se ishte ngarkuar të kryente një tjetër vrasje në Gjermani, për të cilën do të paguhej 500 mijë euro.