Sekretarja e Marrëdhënieve me Publikun, Jola Hysaj në një deklaratë për mediat tha se qeveria Rama investitorëve privatë iu premtohen dy kulla, për t’i ndërtuar në stadiumin e ri.
“Skema e Tiranës, kullë me stadium, po përsëritet edhe në Durrës.
Jo një, por dy kulla i janë premtuar një investitori privat, ende anonim, që do të ndërtojë stadiumin e ri në Durrës.
Skema do të përsëritet, ashtu si në Tiranë, edhe sa i takon transparencës. Asnjë qytetar nuk ka parë gjë, nuk është pyetur dhe, të gjithë durrsakët, ashtu si tiransit, do të gjenden para faktit të kryer. Sepse atë që do Partia nuk duhet të diskutohet nga populli.
Ndryshimi i vetëm mes kullave të Durrësit dhe asaj të Tiranës është lartësia. Kryeqyteti e ka 112 m ndërsa qyteti bregdetar do të guxojë më shumë në marrëzi, me 125 dhe 155 metra. Ndërtimi i kullave shumë katëshe në lagjen nr.18 ngjan një vendim absurd, duke pasur parasysh se zona ishte ndër më të dëmtuarat nga lëkundjet sizmike të tërmetit të 26 nëntorit 2019.
Duke pasur parasysh se e gjithë lagjja në fjalë ishte ndër më të dëmtuarat nga lëkundja sizmike e 26 nëntorit 2019, projektet për ndërtime shumëkatëshe aty mund të rezultojnë të rrezikshme.“, tha Hysaj ndër të tjera.