Zyra e Prokurorisë së Lartë Publike në Beograd ka caktuar masë paraburgimi prej një muaji për babanë e 13-vjeçarit që vrau tetë nxënës dhe një roje në shkollën fillore “Vladisllav Ribnikar” në Vraçar më 3 maj.
Zyra e Prokurorisë tha më 5 maj se babai i nxënësit të klasës së shtatë, u mor në pyetje pasi ai, i identifikuar me inicialet V.K, u akuzua për “akte serioze kundër sigurisë së përgjithshme”.
Prokuroria tha se babai i 13-vjeçarit “gjatë seancës mohoi se ka kryer krimin” dhe se “paraqiti në detaje mbrojtjen e tij”.
“Dyshohet se V.K ka trajnuar djalin e tij për të përdorur armët e zjarrit dhe municionet duke e marrë me vete në shoqatën e qitësve për të ushtruar që të gjuajë me armë zjarri, pavarësisht faktit se ai është 13 vjeç dhe aktivitete dhe trajnime të tilla nuk janë të përshtatshme për moshën e tij”, tha Prokuroria në Beograd.
Pas arrestimit, Ministria e Brendshme njoftoi se nxënësi kishte përdorur dy pistoleta për ta kryer sulmin dhe se armët i kishte marrë nga babai i tij. Menjëherë pas kësaj ngjarjeje, babai i nxënësit u arrestua. Ministri i Brendshëm, Bratisllav Gashiq, tha se të dyja armët ishin me leje.
Në njoftimin e Zyrës së Prokurorisë Publike u tha se i dyshuari “nuk kishte siguruar kushte për ruajtjen e sigurt të armëve dhe municioneve që ato të binin në duart e personave të paautorizuar, gjegjësisht që armët të ishin të mbyllura në kasafortë apo në ndonjë vend që nuk do të hapej lehtë”.









