Katër vjet pasi u shpall i padëshirueshëm nga Departamenti amerikan i Shtetit, Dako u arrestua nga SPAK me dy akuza për shpërdorim detyre. Pesë zyrtarë të tjerë dhe një ndërtues përfundojnë gjithashtu në pranga, ndërsa tre në arrest shtëpie.
Për çfarë akuzohet?
Vangjush Dako ka dy dosje në drejtësi me të cilat duhet të përballet për shpërdorim detyre, falsifikim dhe korrupsion. Së pari është dosja e pallatit. Bëhet fjalë për një pallat në lagjen nr. 18 në Durrës. Leja ishte dhënë 12 vite më parë. Ndërtuesi është Fiqiri Faruku.

Leja u shkel. Paraprakisht dyshohet se ka mbivendosje, që do të thotë se Dako veç lejes së parë ka firmosur edhe një të dytë me katër kate shtesë për pallatin. Tërmeti i vitit 2019 e shkatërroi pallatin.

Banorët u ankuan. “Jemi të gjallë në arkivol brenda këtij pallati” thanë banorët. 46 prej tyre u drejtuan për në bashki, por u injoruan më pas shkuan në SPAK. “Nga 10 kate, pallati u bë 14 kate” thanë banorët. Hetimet vendosën në lëvizje SPAK-un, nxorën përgjegjësit duke sjellë arrestimet.

Dosja e dytë
Vangjush Dako nuk është arrestuar vetëm për lejen e pallatit, por edhe për një tender. Bëhet fjalë për një procedurë prokurimi në vitet 2014-15 që ka qenë për konsulencë fillimisht 22 milionë lekë më pas është dhjetëfishuar. Dëmi që i është shkaktuar shtetit llogaritet sipas SPAK-ut, 180 milionë lekë.









