Nuk ka pasur kërkesa eksplicite ndaj partive opozitare në Kosovës nga ana e të dërguarve të posaçme të Shteteve të Bashkuara, Gabriel Escobar, dhe të Bashkimit Evropian, Mirosllav Lajçak, thonë zyrtarët e këtyre partive. Lajçak dhe Escobar, më 6 maj, u takuan me liderët e tri partive opozitare në Kosovë, Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) dhe Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK).
Siç thonë zyrtarët e këtyre partive, në takim me diplomatët perëndimorë, kanë diskutuar lidhur me krizën aktuale në veri të Kosovës dhe kërkesat e Perëndimit ndaj Qeverisë së Kosovës për të dalë nga gjendja e krijuar atje.
Njohësi zhvillimeve politike, Arton Demhasaj nga organizata joqeveritare Lëvizja Çohu, beson se Lajçak dhe Escobar kanë diskutuar me partitë opozitare edhe për mundësitë alternative për të dalë nga situata e krijuar.
Kriza në veri, por edhe në raportet e Kosovës me partnerët perëndimorë, kanë nisur si pasojë e veprimeve të autoriteteve të Kosovës, të cilët me ndihmën e policisë kanë mundësuar hyrjen në objektet komunale në Zubin Potok, Leposaviq dhe Zveçan të kryetarëve të rinj shqiptarë, më 26 maj.
Ata janë kundërshtuar nga qytetarët serbë në komunat në veri të Kosovës, të cilët kanë bojkotuar zgjedhjet e 23 prillit për kryetar të këtyre komunave. Kundërshtimet janë manifestuar me protesta, të cilat kanë rezultuar me përplasje të protestuesve më Policinë e Kosovës, por edhe më pjesëtarët e KFOR-it në Zveçan, më 29 maj, ku pati disa dhjetëra të lënduar nga të dyja palët.
LEXONI KËTU ANALIZËN E PLOTË TË REL