Bashkimi Evropian ka përsëritur të enjten se ndaj Kosovës nuk janë vendosur sanksione apo masa kufizuese për të cilat duhet të respektohet korniza dhe procedura e caktuar në BE, por vetëm masa dhe instrumente të përkohshme për të dëshmuar se BE është serioze në përpjekjet e saja për të ulur tensionet.
Këtë e ka thënë zëdhënësi për çështje të politikë së jashtme dhe sigurisë Peter Stano, të enjten në një konferencë për shtyp në selinë e Komisionit Evropian në Bruksel.
Stano ka përsëritur se këto masa janë të përkohshme dhe se do të hiqen nga rendi i ditës kur kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ndërmerr hapat që kërkohen nga ai për të ulur tensionet.
Ai ka thënë se disa nga këto masa nuk kanë qënë të lehta për BE-në që t’i miratojë, por janë ndërmarrë pasi, sipas tij “është parë se nuk ka hapa për shtensionim të situatës”.
“Pra fjala është për instrumente që ne përdorim për të dëshmuar se BE është serioze kur thotë se pret shtensionim të situatës dhe reagim kur një gjë e tillë nuk ndodhë“, ka thënë Stano.
Stano ka thënë se nuk është në dijeni për ndonjë takim “sekret” në Bruksel për të cilin ka folur të mërkurën presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç.
Arrestimi i tre policëve të Kosovës nga Serbia, BE: Çështje urgjente