Kryeministri Albin Kurti nga ora 17:30 do t’u përgjigjet deputetëve të Kuvendit të Kosovës lidhur me situatën pas rrëmbimit të policëve kufitarë nga ana e Serbisë. Prezenca e Kurtit në Kuvend sot ka qenë kërkesë e opozitës. Partitë opozitare kanë kërkuar që Kurti të raportojë, duke theksuar se Kosova është në situatë të jashtëzakonshme.
Partitë parlamentare të Kosovës i kanë dënuar, siç e kanë quajtur ato, aktin e rrëmbimit të tre pjesëtarëve të Policisë së Kosovës nga forcat serbe në veri të vendit, duke e cilësuar këtë veprim si agresion kundër Kosovës. Sipas tyre, pas këtij akti, nuk mund të thuhet se në Kosovë është gjendje e zakonshme.
Ngjarja, sipas autoriteteve të Kosovës, ka ndodhur mesditën e së mërkurës, kur dyshohet se tre policë kufitarë të Kosovës, janë rrëmbyer nga forcat serbe, gjatë një patrullimi në vendin e quajtur Tresave/Bare, në vijën kufitare në veri të Kosovës. Vendi Tresave/Bare gjendet në komunën e Leposaviqit, brenda territorit të Kosovës.