Departamenti amerikan i Shtetit, i bëri thirrje të shtunën presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiç dhe qeverisë së tij që “që menjëherë dhe pa kushte të lirojnë tre policët e Kosovës të arrestuar më 14 qershor”.
Në një deklaratë për Zërin e Amerikës, DASH-i tha se “arrestimi dhe ndalimi i tyre me akuza të rreme, ka përkeqësuar një situatë tashmë të tensionuar”.
Të premten një gjykatë në Serbi urdhëroi mbajtjen në paraburgim dhe hetimin e tre policëve të Kosovës, nën akuzat për “prodhim, posedim, mbajtje dhe trafik të paautorizuar të armëve dhe lëndëve shpërthyese”.
Autoritetet në Prishtinë thanë se policët janë rrëmbyer brenda territorit të Kosovës duke e akuzuar Serbinë për “cenim të sovranitetit dhe tërësisë tokësore” të Kosovës. Beogradi thotë ndërkaq se policët janë kapur brenda territorit të Serbisë.
“Në të dyja rastet, është shumë e qartë se këta policë nuk kanë pasur qëllim të hyjnë në Serbi dhe ata duhet të lirohen”, tha të premten i dërguari amerikan për Ballkanin Perëdimor, Gabriel Escobar në një konferencë telefonike me gazetarë.
Departamenti i Shtetit u bëri thirrje të shtunën Serbisë dhe Kosovës që të ndjekin planin trepikësh të Bashkimit Evropian për uljen e tensioneve dhe t’i “të kthehen pa vonesë në dialogun e lehtësuar nga BE-ja”.
Me 1 qershor Bashkimi Evropian u kërkoi Kosovës dhe Serbisë organizimin sa më parë të zgjedhjeve të reja në katër komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës, pjesëmarrjen e qartë të partive serbe në ato zgjedhje dhe zgjidhje të shpejtë të çështjes së Asociacionit të komunave me shumicë serbe./VOA
Artikulli i plotë këtu.