Akademia e Studimeve Albanologjike ka depozituar në Gjykatën Administrative të Shkallës së Parë, kërkesë-padi për hapjen e procesit gjyqësor ndaj Këshillit të Ministrave dhe Ministrisë së Arsimit dhe Sportit pasi qeveria Rama shkriu këtë institucion.
Në kërkesë-padi kërkohet shfuqizimi i vendimit të Këshillit të Ministrave “Për mbylljen e veprimtarisë së Akademisë së Studimeve Albanologjike dhe riorganizimin e instituteve kryesore të saj” dhe marrjen e masës së sigurimit të padisë duke vendosur pezullimin e zbatimit të aktit deri në përfundim të procesit.
Më 12 qershor 2023, Senati Akademik i Akademisë së Studimeve Albanologjike vendosi ndjekjen e procesit ligjor kundër aktit të paprecedent për mbylljen e veprimtarisë të një prej institucioneve më të rëndësishme të albanologjisë, arsimit të lartë dhe kulturës shqiptare.