Partia Demokratike e Kosovës ka reaguar për ngjarjen e paprecedentë në Kuvendin e Kosovës, ku situata percipitoi në dhunë.
Në një komunikate për mediat, PDK ka akuzuar zv/kryeministrin Besnik Bislimi se ishte i pari që nisi përleshjen, duke sulmuar me shishe Mërgim Lushtakun.
PDK-ja ka kërkuar që kjo qeveri të shkojë në shtëpi, dhe vendi të shkojë në zgjedhje.
“PDK dënon ashpër sulmin e zëvendëskryeministrit Bislimi ndaj deputetëve të PDK-së
Sikur të mos u mjaftonte fyerja që i bënë shtetit të Kosovës, veteranëve të UÇK-së, akterëve politik shqiptarë, popullit të Kosovës, para shërbëtorëve të Radojçiqit, sot, në Kuvendin e Kosovës, zëvendëskryeministri Besnik Bislimi në vend që të ndihej i turpëruar dhe të jepte llogari për përgjimet, provokoi opozitën duke i hequr fotografinë që ata i vendosën në foltore.
Madje, ishte pikërisht zëvëndëskryeministri Bislimi i cili i pari e goditi me mjete të forta, shishe, deputetin Mërgim Lushtaku.
Në një moment kur Kryetari i Kuvendit u desh që të reagojë dhe të mos e lejoj atë që të ndodhë, ai u bëri thirrje Policisë së Kosovës që të ndërhyjnë dhe të arrestojnë deputetët e opozitës.
Futja e Policisë së Kosovës në Kuvend nuk është lejuar të ndodhë as në momentin më të errët në historinë e Kuvendit të Kosovës, kur Lëvizja Vetëvendosje hidhte gaz lotsjellës dhe rrezikonte jetën e deputetëve.
Një Qeveri që bashkëpunon me kriminelët serbë, në dëm të interesit të shtetit dhe qytetarëve të Kosovës, duhet të shkoj në shtëpi një orë e më parë.
Kosova ka nevojë për zgjedhje të reja, nga të cilat, qytetarët me votën e tyre do të zgjedhin një Qeveri kredibile e cila do ta kthej vendin në rrugën e duhur drejt integrimit euro-atlantik,” ka thënë PDK në regimin.