Vjet më doli gati 100% falli që hodha tek një turkeshë, për të parë se çfarë do të ndodhë me vendin tim.
Meqë jemi në prag të zhvillimeve të mëdha, thashë ta provoj edhe këtë vit. Pasi piva kafenë, e pyeta turkeshën se ç’habere do të kemi nga qeveria.
-Tërmet, tërmet- më tha.
-Po po zonjë, e vërtetë, i fituan sërish të gjitha bashkitë, vetëm ca kryepleq mori opozita – thashë unë.
-Jo jo, jo si ai tërmeti i parë që ra në Dibër. Kësaj radhe tërmeti po u bie në kokë bir, po u shemb të gjithë qytetin. I zoti i qytetit po bën shpërthime të kontrolluara, si i thoni ju andej kur prishni ndërtimet pa leje, që ti shembë vetë ato ndërtesa që janë rrezik për qytetin. Tani edhe i zoti i tërmetit të Dibrës është nën rrënoja.
-Po çfarë do të bëjë, do ta ruajë qytetin të mos bjerë?
-I zoti i qytetit ka marrë ca çifutë(Tobe estrafkurullah) që po e mësojnë. Ndërtesat që kanë marrë plasaritje, ai po i shemb vetë një e nga një që të mos bëhet zhurmë dhe pluhur i madh. Pastaj, ato që do mbesin, do ti lyejë me bojra të gjitha.
-Do të bëjë një qytet të ri zonjë?
-Jo tamam, por një qytet që të duket si i ri. Do ti vënë një emër me 3 P
-Po pse zonjë, ku do të dalë?
-Epo, ai ka dëgjuar që populli kërkon një qytet të ri, se u mërzit me këtë të vjetrin. Dhe të riun po e bën po ai, sepse ai është edhe arkitekt edhe bojaxhi.
Ha ha ha ha ha – qeshi fallxhorja me ca dhëmbë të frikshëm.
Po nga opozita zonjë, çfarë thuhet, ka ndonjë shpresë?
-Zi e më zi shikoj. Sherri që kishte hyrë në shtëpi po ha kokë. Tre njerëz që fillojnë me B janë në luftë dhe kokat do të hanë. Ndërsa babë e bir po ziheshin për vulën, doli një rrufjan e vogël dhe e mori vulën duke e fshehur nën një gur tek varret e vjetra në kodër.
-Po me shtëpinë çdo të bëhet zonjë, do mbijetojë shtëpia?
-Jo bir jo, në fund, këta 3 B-të do të ndajnë qerestetë, tjegullat dhe gurët dhe shtëpia do të shuhet. Edhe truallin do ta lyejnë me benzinë dhe djegin që të mos mbijë më bar.
-Po me ne çfarë do të bëhet zonjë, me ne popullin dmth. Kë ndonjë shpresë?
-Bir merre këtë letrën dhe ruaje mirë.
Hap dhe lexoj: “Investitorët e huaj e cilësojnë Shqipërinë si një vend të vështirë për të bërë biznes. Ata përmendin korrupsionin e vazhdueshëm duke përfshirë sektorin publik, gjyqësorin, prokurimet publike, konkurrencën e pandershme dhe të shtrembëruar, ekonominë e madhe informale, pastrimin e parave, ndryshimet frekuente të legjislacionit fiskal si dhe zbatimin e dobët të kontratave si sfida të vazhdueshme për të bërë biznes në Shqipëri”.
-Zonjë ky është raporti i Departamentit të Shtetit. Ç’punë ke ti me këtë?
-Po pra këtë ruaje, që të mos e printoni sa herë t’ju vijë. Mua këtu me del se ky haberi nga Amerika do ju vijë çdo vit bir.
-Po deri kur zonjë?
-Derisa të keni 3 P dhe 3 B keq do të jeni biri im.