Ish-Presidenti Ilir Meta në një postim në Facebook ka përshëndetur takimin informal që u zhvillua mbrëmë në Athinë me ftesë të kryeministrit grek Kyriakos Mitsotakis dhe deklaratën e miratuar nga liderët për integrimin e Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Europian.
Shqipëria ishte mungesa e madhe në këtë takim për shkak të një kursi përplasje për arrestimin e Fredi Belerit, kandidat i mbështetur nga Berisha-Meta në Himarë. Kryetari i partisë së Lirisë thotë se është kundër qëndrimit të Edi Ramës në raport me Greqinë.
“Përshëndes deklaratën e miratuar nga 11 liderët e Europës së Bashkuar dhe Ballkanit Perëndimor në 20 vjetorin e Samitit të Selanikut, i cili hapi rrugën e integrimit në BE të Ballkanit Perëndimor.
Ne jemi të bindur, që kjo është rruga e vetme për këtë rajon të rëndësishëm, sidomos për kushtet gjeopolitike sot në botë.
Përshëndes pjesëmarrjen e gjithë vendeve të Ballkanit Perëndimor, si dhe atë të merituar të Republikës së Kosovës, duke menduar gjithmonë, se politika e integrimit europian është një politikë bashkimi dhe jo përjashtimi, një politikë që përshtatet me filozofinë e Procesit të Berlinit duke përjashtuar nismat individuale që krijojnë tension.
Partia e Lirisë është kundër qëndrimit të kryeministrit Rama, që vazhdon të zbatojë një politikë të jashtme personale, kundër interesave të shqiptarëve dhe të ardhmes perëndimore të Shqipërisë.
Shqipëria nuk mund të ishte e munguara e madhe në takimin e prespektivës europiane të rajonit tonë dhe të linte vendin bosh në mesin e vendeve me të cilat bashkëndajmë vlerat europiane.
Partia e Lirisë dhe opozita shqiptare mbetet e angazhuar që rruga europiane e Shqipërisë të mos thyhet nga elementë dhe situata të interesave personale, ndaj do të vijojmë pa kompromis rrugën tonë për të realizuar integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian” shkruan Meta.









