Zbardhen detaje të reja nga hetimet lidhur me sasinë prej 300 kg kanabis që autoritetet malazeze sekuestruan në doganën e tyre, teksa kamioni po tentonte që të futej drejt fqinjit verior.
Të arrestuarit janë babë e bir Ilirjan dhe Kristi Orhani 60 dhe 25-vjeç, që figurojnë si punëtor të kompanisë që ka në pronësi kamionin, e regjistruar për import-eksport të frutave ekzotike.
Por në fakt firma ku ishte regjistruar kamioni tip “Renault” me paleta dërrase që kishte si destinacion Austrinë rezulton fiktive.
Në skaner në portin e Durrësit kamioni kishte dalë i pastër. Atëherë pyetja është si u zbulua droga në Mal të Zi?
Dyshimet janë se kamionit që doli i pastër në Durrës iu morën targat dhe iu vendosën mjetit tjetër që dyshohet se u ngarkua mes Tiranës dhe Durrësit për të vazhduar itinerarin me destinacion final Austrinë.
Deri tani jemi në kuadrin e dyshimeve nga grupi hetimor. Babë e bir nga Durrësi nuk kanë pranuar asgjë deri në këto momente. Fakti është që autoriteteve shqiptare droga u shpëtoi dhe u zbulua nga homologët malazezë.