Ish-zyrtari i FBI-së, Charles McGonigal pritet të pranojë fajësinë të premten për akuza lidhur me faktin se ka marrë dhe fshehur 225,000 dollarë nga një ish-oficer i inteligjencës shqiptare, i cili sipas të dhënave të gjykatës u bë burim në një hetim të FBI-së.
Axhenda e gjykatës tregon se ai pritet të dalë në një seancë të premten pasdite. I pyetur nga Zëri i Amerikës se për cilën akuzë do të pranojë fajësinë zoti McGonigal, një nga avokatët e tij, Seth Ducharme nuk pranoi të bënte komente.
Akuzat më të rënda kundër zotit McGonigal parashikojnë një dënim maksimal prej 20 vjetësh, por pranimi i fajësisë duket të jetë pjesë e një marrëveshjeje me prokurorët për një dënim të zbutur.
Dosja shqiptare e McGonigal, gazetarja e Zërit të Amerikës: Çfarë ndodhi tani
Akt-padia e ngritur ndaj zotit McGonigal në gjykatën federale të Uashingtonit ka nëntë akuza, mes së cilave ajo se ai kishte marrë të paktën 225,000 dollarë nga shqiptaro-amerikani më pas i identifikuar si Agron Neza, një ish-oficer i zbulimit shqiptar në këmbim të promovimit të interesave të tij të biznesit, pa njoftuar FBI-në për lidhjet e tij me të.
“Washington Post”: McGonigal u pagua nga Neza për të goditur rivalët e Ramës
Akuzat kishin të bënin me fshehje faktesh materiale, deklarata të rreme dhe falsifikim dokumentash lidhur me marrëdhëniet me shqiptaro-amerikanin Neza, marrjen prej tij të 225 mijë dollarëve, udhëtime të siguara prej tij dhe të tjerëve dhe mosdeklarimin e tyre, udhëtime të padeklaruara, kontakte me shtetas të huaj, përfshirë kryeministrin e Shqipërisë dhe deklarimin e pozicionit të tij në kontakte me ta, pavarësisht se po i takonte në cilësi private dhe jozyrtare. VOA