Policia e Durrësit ka reaguar në lidhje me vrasjen e 38-vjeçarit Fatjon Dervishi në Katund, Sukth të Durrësit. Mësohet se viktima është qëlluar me armë te shinat e trenit nga persona të paidentifikuar.
Ai u transportua menjëherë me urgjencë drejt spitalit për marrjen e ndihmës mjekësore, por ndërroi jetë si pasojë e plagëve të rënda. Policia dhe FNSH shkuan menjëherë në vendin e ngjarjes dhe nisën hetimet përkatëse.
“Durrës/Informacion paraprak: Në Katund, Sukth, tek shinat e trenit, nga persona ende të paidentifikuar është qëlluar me armë zjarri shtetasi F.D, 38 vjeç, i cili u transportua menjëherë në spital për ndihmë mjekësore, por si pasojë e plagëve të marra ka ndërruar jetë në spital. Shërbimet e Policisë me marrjen e njoftimit kanë shkuar menjëherë në vendngjarje. Në ndihmë të Policisë vendore janë nisur dy grupe të FNSH-së Tiranë. Grupi hetimor ka shkuar në vendngjarje dhe në bashkëpunim me Prokurorin vijon veprimet për zbardhjen dhe dokumentimin e rrethanave të ngjarjes, me qëllim identifikimin dhe kapjen e autorit/ve. Ndërkohë shërbimet e Policisë kanë ngritur pika kontrolli dhe vijon krehja e zonës.”, njofton Policia e Durrësit në lidhje me vrasjen.