Ish-Presidenti Donald Trump injoron dhe kundërshton këdo që i thotë jo. Ai ka ndërtuar një markë biznesi e më vonë një markë politike, si dikush që thotë dhe bën atë çka dëshiron, kryesisht pa u përballur me ndonjë pasojë.
Edhe pas humbjes së Shtëpisë së Bardhë, zoti Trump shfaqet si një njeri që është mësuar ta respektojnë, rrethuar nga njerëz që e brohorasin me ovacione, e që duartrokasin gënjeshtrat edhe më shokuese të tij.
Por zoti Trump u përball me një realitet të ri të mërkurën, kur u thirr në karrigen e dëshmitarit dhe u gjobit me 10 mijë dollarë për shkeljen e një urdhri gjykate, që e ndalonte atë të sulmonte personelin e gjykatës.
Gjatë një komenti për gazetarët, në pushim të seancës gjyqësore lidhur me një padi civile nën akuzat për mashtrim me bizneset e tij, zoti Trump foli për “një person shumë të njëanshëm të ulur përkrah” gjykatësit Engoron.
Më pas zoti Trump tha se në komentet e tij ai i ishte referuar ish-avokatit të tij Michael Cohen dhe jo një prej nëpunësve të gjykatës, sikurse pohoi gjyqtari Arthur Engoron. Por kjo nuk e bindi gjykatësin e çështjes.
“Konstatoj se dëshmitari nuk është i besueshëm,” tha zoti Engoron përpara se ta gjobiste zotin Trump. Disa minuta më vonë, ish-presidenti doli nga salla e gjyqit, me një shpërthim të dukshëm zemërimi.
Kjo shënoi dhe herën e dytë që zoti Trump ndëshkohet me gjobë për të njëjtin urdhër.
Gjoba prej 10 mijë dollarësh ka pak pasoja financiare për një të pandehur të pasur siç është zoti Trump./VOA
Artikulli i plotë këtu.








