Të paktën dhjetë pjesëtare të policisë dhe disa të burgosur janë lënduar gjatë një përplasje fizike në burgun e Idrizovës, në Shkup, njoftoi më 28 tetor Ministria e Punëve të Brendshme e Maqedonisë së Veriut.
Të burgosurit, sipas zëdhënësit të MPB-së, Toni Angellovski, kanë bërë rezistencë gjatë përpjekjes së policisë për të kontrolluar qelitë e tyre, pas informacioneve se po mbanin gjësende të ndaluara.
Gjatë bastisjes që është kryer me urdhër që Gjykatës Penale të Shkupit, policia në qelitë e të burgosurve ka gjetur 63 telefona celularë, 82 thika, katër thumba, 71 mbushës telefoni dhe substance narkotike.
Por, në rrjetet sociale janë shpërndarë shumë fotografi nga qelitë e burgut të Idrizovës, ku duken shumë të burgosur me lëndime të rënda trupore.
Sipas familjarëve të tyre, “njësite speciale kanë ndërhyrë brutalisht duke rrahur rëndë dhjetëra të burgosur”.
Drejtoria e burgut të Idrizovës ende nuk ka dalë me të dhëna zyrtare lidhur me incidentin në burgun e Idrizovës, ku në fuqi ende janë masat e krizës për shkak të mungesës së gardianëve, dhe njoftimeve për “kërcënim të sigurisë”.
Në ndihmë të policisë së burgut janë vënë edhe njësitë e speciale dhe pjesëtarë të Armatës së Maqedonisë së Veriut.
Në muajt e fundit, burgu i Idrizovës është përballur me disa skandale, ndër të tjera, me hapjen e një tuneli nëntokësor nga të burgosurit që kishin planifikuar arratisjen./REL