-sidi education-spot_img
4.5 C
Tirana
-sidi education-spot_img

Lutfi Dervishi: Krimi nuk luftohet me video klipe

Kryesoret

Krimi nuk luftohet me video klipe

TikTok-u apo TikTaku i vetëvrasjeve

Një nënë e re i dha fund jetës (siç raportohet deri më tani) pasi nuk e përballoi dot turpin pas publikimit të një fotografie intime që disa media/individe sot po e ripublikojnë masivisht.

Të thuash kriminale është pak, të thuash më shumë se kriminale prap mbetet e pamjaftueshme përballë makabritetit virtual.

Ana e errët e mediave sociale dhe e një pjese të portaleve, u rishfaq sot me ripublikimin e një fotografie që për 27 vjeçaren përkthehej në vetëvrasje, ndërsa për punëtorët e klikimeve përkthehet në para.

Një tjetër fatkeqe pre e listës së viktimave të TikTok, një tjetër “balenë blu” që këtë herë ka si kreatorë ca mendje të sëmura që përveç maskarallëkut kanë edhe internet.

Nuk mjaftoi vendimi tragjik i nënës së re për t’u arratisur me dëshpërim nga kjo jetë, por gjyqi ndaj saj vijon nga dhjetëra  idiotë që hedhin “gurë dixhital” mbi të vdekurën si të ishin kryetarë të  gjykatës së  moralit.

Megjithatë, nuk mund të presësh që idiotë interneti (ii) të tregohen njerëz dhe të bëjnë dallimin mes jetës dhe vdekjes mes privates dhe publikes, mes dinjitetit dhe poshtërsisë, por ajo që është shqetësuese është roli i medias në raportimin e gjëmave/kobeve.

Ndërkohë që është e stëprovuar efekti domino i raportimit të detajuar të vetëvrasjeve, në një kohë që është vërtetuar se sensacionalizmi i rasteve fatkeqe çon në dëme afatgjatë edhe për shoqërinë, sërish e sërish sillemi njëlloj deri në tragjedinë e radhës që sërish do të kryhet për të njëjtat shkaqe dhe me të njëjtat mënyra.

Të bësh thirrje për etikë dhe vetëpërmbatje në raportimin e ngjarjeve tragjike rrezikon t’i ngjash njeriut që merr shatin dhe prashit në det.

Shpërndaja e shpejtë e informacionit dhe mundësia që informacionin ta prodhojë dhe shpërndajë kushdo, nevoja për të patur të shenjtë lirinë e shprehjes dhe dëmi që vjen nga shpërndarja pa kriter e materialeve private/të dëmshme ka krijuar një realitet të ri që nuk mund të përballohet me instrumentat e kohës para internetit.

Krimi në internet nuk mund të luftohet me të njëjtat mjete dhe burime njerëzore si krimi i rrugës.

Në kohën kur sa vjen dhe bëhet më i vështirë dallimi mes jetës reale dhe asaj virtuale, problemet e shëndetit mendor dhe krimi kibernetik sa vijnë dhe agravohen për shkak të zhvillimit të shpejtë të teknologjisë.

Problemet dhe sfidat epokës digjitale nuk përballohen me instrumenta dhe mendësi analoge.

Sot, si kundërpërgjigje ndaj ngjarjes tragjike policia e shtetit publikoi një video nga momenti i ndalimit të personit të dyshuar si shkaktar i humbjes së jetës së 27 vjeçares. Krimi modern luftohet me ligj, struktura dhe vullnet, jo me video-klipe.

Institucionet ligj zbatuese (policia/prokuroria) nuk janë të pajisura siç duhet as në teknologji dhe as në burime njerëzore për t’u përballur me kriminelët e dukshëm dhe të padukshëm në hapësirën virtuale. Çdo vonesë do të na sjellë viktima të reja dhe video-klipin e radhës.

Forcimi i legjislacionit dhe strukturave do të ishte vetëm njëra anë e medaljes. Media vetë mund të luajë një rol pozitiv me kusht që klikimet mbi fatkeqësi t’i konsiderojë “krim”.

Është në dorën tonë nëse do të duam të mbetemi njerëz dhe të respektojmë zinë e tjetrit apo të kthejmë në spektakël edhe vdekjen.

Deri më tani gjithçka ka mbetur vetëm fjalë, duke numëruar viktimat deri sa të vijnë veprat që mungojnë!

/5pyetjet.al

spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
- Advertisement -spot_img

Më tepër

- Advertisement -spot_img

Lajmet e fundit