Gjykata e Apelit ka vendosur rihapjen pjesërisht të procesit për Arbër Paplekajn, ish-efektivin e RENEA-s, i cili akuzohet për vrasjen e Pjerin Xhuvanit në Elbasan, pak ditë para zgjedhjeve të vitit 2021.
Gjykata pranoi me 4 Mars kërkesën e Arbër Paplekajt për kryerjen e një ekspertimi kriminalistik ne vendin e ngjarjes për vrasjen e Pjerin Xhuvanit në Elbasan. Një ekspert i Institutit të Policisë Shkencore dhe 2 ekspertë të pavarur do rindërtojnë skenën e krimit.
Arjan Hanko, pranë Institutit të Policisë Shkencore, Artan Rexhepi dhe Shpëtim Buda, ekspertë të pavarur. Ekspertët duhet të përcaktojnë drejtimin e qitjes së armëve ditën e ngjarjes, distancën dhe pozicionet nga është qëlluar.
Paplekaj është dënuar me 22 vite burg nga shkalla e parë për vrasjen e Pjerin Xhuvanit në prill të vitit 2021 pak dite para zgjedhjeve parlamentare. Ai ka kërkuar edhe rikualifikim të veprës penale nga “vrasje me dashje” në “vrasje në kushtet e tronditjes së fortë psikike”.
Në sallën e gjyqit ishin të pranishëm edhe 2 ish-nëndrejtorët e Policisë së Elbasanit, Nikollaq Palla dhe Alber Nushi.