-sidi education-spot_img
20.5 C
Tirana
-sidi education-spot_img

Agron Gjekmarkaj: Sula në Termopile, Salianji ngatërroi dynjanë, Ulsiu dhe Braçe…

Kryesoret

U nisa drejt Kuvendit tashmë me një peshë të madhe mbi supe. Unë zevendës lider i përgjithshëm dhe i përhershëm në krah të Liderit në perspektivë Gazi dhe Jorushit të Tabakëve e çamë rrugën me krenari për në sallë.

E kisha ëndërruar këtë ditë që të shfaqesha në krah të Kryezëvendës Liderit Muli po nuk qe e thënë. U ndjeva pak jetim, ndonëse Gazi më këshillonte , “kokën lart, drejt shikimin” ! Ashtu bëra, eca si kolos i bindur që gjithë historia po më shikonte. Nga pas më ngjante se njerëzia plot besim në mua thërriste “kolosi alabar, kolosi akbar”.

Jorushi herë pasë here fliste për paudhësitë dhe gjëmat që bota përreth i punonte orë e çast. Ne i thoshim ata tutje ti tehu dhe buzëqeshja i rikthehej si kendëllje lubrifikuese mbi mekanizmat e partisë në lëvizje, së cilës i del në teh si ikonë.

Na kishte marrë malli për pak paqe pas muajsh luftë, anipse mbi rroba kishim kudo gjurmët e saj dhe aroma e barutit së mpakur nuk ishte. Luftëtaret dukeshin si pensionistë.

Majko nën shembullin e veteranëve shikonte ku mund të ngriheshin lapidarët e qëndresës partizane, ku pionerët e partisë të vinin në të ardhmen kurora me lule. Një pllakë këtu për Dilon, një tjetër për Vullnetin, një gur për Bafton jepte udhëzime. Gjeneral Kollçaku dëshironte një stendë memorial të armëve të përdorura.

Muçua si nip Hoti e kishte ndarë mendjen që 50 vjeç do bëhej trim për herë të parë dhe erdhi si Çeçua e foli si e ëma e Zeqos.

Pastaj Lindita e dëboi. Braçja zihej me veten dhe të tjerët, fliste me veten që të dëgjonin të tjerët. Klotilda kishte rënë në të thella, ndiente nostalgji për kohën kur gijotina punonte për marshallah.

Shalsi kishte dilema politike teksa bënte pyetjen, dikur mbronim Muçon mos e rrihte Salianji e tani duhet t’u mbrojmë ju mos ju  kopanis Muçua. Kjo ishte shumë e thellë edhe për vetë Tonin, i cili si klerik dëshiron që haka të shkojë tek i zoti.

Klosi dhe Etilda u zhytën në mermerima të zgjatura në biseda të një rëndësie parësore siç është evolimi i motit orë pas ore. Ndonjëherë rënkimi i Blerinës hynte në mes si murlan dhe ata pyesnin se a u prish koha?

Laertit i kishte rënë një prishaqejfllëk prej të papuni. Në parti po lulëzon mpirja, ikën ditët kur qahej e qeshej si tezja, ku lotorja mbushej plot me lot gëzimi e hidhërimi.

Çyrbja po kaq vërtitej në maraz. Kujtonte kohët kur thirrej “Çyrbja i krimit”, kur alltia dhe pisqolla kërciste si në karadak, tani i vinte të fshihej në një shpellë si Muji e Halili, kur forca e krahut u mund nga plumbi.

Bora kishte rënë në një meditim të ëmbël, e krehur gjithë merak e naze. Pse i ka Babo zët seancat, dukej sikur mundohej?

Xhemal Qefalia tund kokën pa pushim dhe i thoshte Nasipit “ka rënë shumë niveli i diskutimeve, askush nuk i referohet Konfucit,  atij burri të lartë që më ndriçon udhët e mendimit”. Nasua i xhevaposej, hall të madh ke vëlla. Moskuptimi është emblema e modernitetit.

Dash Sula një domate si gjyle nxorri. Ministrat të gjithë u fshehën. Në mes më gjet Luan Baçi, i cili e ndjek virtytin nga pas si gjahtari lepurin. Kosta i Gramozit dhe Linditës dëgjon nga llozha fjalimet dhe psherëtin dembelueshëm “jallane kjo dynja”. Ai pret me padurim t’i vërë për fill trazimet, llaf i Antonetës.

Albana e menduar pasi akuzoi Babon se ka dorë mbi grate, vërtitet nëpër sallë, shpesh bën sikur nuk më sheh duke më sembuar në gji e ndonjeherë më ngjateton duke ma kthyer gëzimin. Qerrateshën do ta kallzoj tek Zonja Kalaja dhe Zonja Garo. Ato më kanë xhan.

Tao u kthye, gusha e të cilit ishte tkurrur qamet nga një dietë e fortë mesdhetare. Sapo Mamica kthehej, nata largohej. Ikte ajo, terri si tis binte mbi qeverinë e lodhur së përsërituri një fjalim 12-vjeçar. Çuçi shikonte nga Bela, e cila gjerbte një kafe që nuk kishte të sosur gati me melankoli, i pasigurtë në duhej të shfaqej entuziast apo i zymtë.

Ulsiu hapte me gojë kur fliste Braçe, shpirti i lypte paqe e trupi gjumë. Nikoqiri ishte si i hequr nga gripi dhe prerja e barkut. Tani po flet Ibrahimaj, kronika mbyllet vetvetiu. Dhurata Çupit e sapo kthyer nga Athina, Dash Sula i dukej si Leonidha në Termopile.

Salianji pasi ngatërroi gjithë dynjanë iku edhe nga akçihanja e Parlamentit.

/5pyetjet.al

spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
- Advertisement -spot_img

Më tepër

- Advertisement -spot_img

Lajmet e fundit