-sidi education-spot_img
10.5 C
Tirana
-sidi education-spot_img

Pëllumb Nako: Luks, nepotizëm, korrupsion dhe krenari

Kryesoret

Tradicionalisht kriminologjia e lidh krimin e një individi me ambientin, me mjedisin ku ai jeton. Kjo teori vazhdon të jetë e pranuar edhe në ditët tona dhe përgjithësisht u referohet shtresave modeste të shoqërisë. Madje, në shekullin e kaluar besohej gjerësisht se krimi është atribut vetëm i klasave të varfra. Koncept ky që filloi të rrëzohet gradualisht në SHBA, fillimisht me evidentimin e “krimit të jakave të bardha”. Në thelb kjo është edhe arsyeja që në mjaft vende perëndimore, shteti investohet në politika sociale për të luftuar pikërisht “shtrëngimin” që e detyron individin të kryejë krime.

Në kontekstin e Shqipërisë, këto kohë të fundit, përveç krimit të quajtur “i shtresave të varfra”, po hasim në ndjekje penale të mjaft drejtuesve të lartë të administratës, duke përfshirë edhe funksione politike, pra në një farë mënyre “shtresat e larta”. Thuhet kohët e fundit, sepse rastet e ndjekjeve penale janë të shumta dhe të freskëta, por kjo nuk do të thotë se më parë nuk kanë ndodhur. Nuk bëhet fjalë thjesht për grupime politike, por për një kulturë qeverisjeje të vendit, e cila në raport me publikun e gjerë shqiptar vazhdon të reflektojnë aspekte të pandryshueshme si në kohën e diktaturës dhe në ditët e sotme.

Kjo sepse dikur në diktaturë si Byroja Politike, Komiteti Qendror dhe qeveria në qendër dhe në bazë ishin një kombinim i krushqive, lidhjeve nepotike e krahinore me ngjyrën e kuqe politike. Ndërkohë edhe sot, pavarësisht ngjyrimeve politike, mendësia e qeverisjes nëpërmjet klaneve, familjeve, lidhjeve të shumta krahinore mbetet thuajse e njëjtë me gjithë aktet nënligjore që predikojnë rregulla ndryshe, madje edhe moderne me bazë “meritën”. Në realitetin e përditshëm, “merita” si i vetmi atribut i individit jashtë klanit apo një përkatësie politike është cilësia më e sakrifikuar në ndërtimin e administratës. Ajo zëvendësohet nga atributi “i besuar”. Ndërkohë që “i besuar” duhet të jetë vetëm deontologjia ligjore e punonjësit të administratës së lartë apo të ultë, qendrore apo lokale.

Emërtimi i “besuar” i cili u adresohet individëve të niveleve të larta të administratës që kanë pasur, që kanë në dorë dhe menaxhojnë sasi të mëdha financiare të parave publike. Dëmet, shpërdorimet, vjedhjet e shkaktuara prej tyre janë kolosale. Ata kapërcejnë nga hiçi në maja të larta të administratës dhe më pas nga maja në majë të saj, tërësisht në kundërshtim me rregullat e administratës. Kjo do të thotë se cilësia “meritë” nuk mjafton për të ecur para në administratën shqiptare.

Pikërisht janë këta “të besuar” të këtij apo atij pushtetari ne funksione politike, të cilët përbëjnë një shtrese të lidhur kryesisht me shpërdorimin e detyrës, korrupsionin dhe pastrimin e parave jo vetëm për llogari të tyre, por edhe për llogari të klanit që u beson. Në fakt, krimi i shtresave të tilla të shoqërisë nuk mund të konceptohet pa pastrimin e parave. Kjo sepse çdo përfitim financiar i paligjshëm, fillimisht duhet pastruar dhe futur në kanale zyrtare. Dhe kur flitet për pastrimin e parave, krimi i zakonshëm bashkohet në të njëjtat mënyra veprimi me jakat e bardha dhe në finale masivizohet.

Pyetja që del natyrshëm me këtë rast është se nëse në rastin klasik, kriminologët thonë me të drejtë se është mjedisi ai që ndikon në sjelljen kriminale, e njëjta gjë është edhe për krimet financiare të shkaktuara nga kategoritë e cituara më sipër në vendin tonë? Kemi të bëjmë me një qeverisje kriminogjene? Bëhet fjalë për një ambient qeverisës që ushqen krim?

Përgjigja do të ishte shumë komplekse. Nëse për shtresat e varfra, sociologët thonë se është “nevoja”, ajo që i shtrëngon të marrin rrugën kriminale, po këta të rinj, në shumicë drejtorë të rëndësishëm në administratën e lartë shqiptare, çfarë i shtrëngon të hyjnë në rrugën e krimit? Të vjedhin, të shpërdorojnë, të pastrojnë paratë?

Ajo që ndodh në Shqipëri duket se është mjaft specifike. Dhe kjo për arsye se shoqëria shqiptare vazhdon të jetë e dominuar në shumë aspekte të saj, nga shprehi e bindje tradicionale të ngurosura, të kthyera në formën e një të drejte. E ardhur e pandryshueshme nga e shkuara feudale e vendit, me gjithë prurjet teknologjike të nivelit të lartë, me gjithë adoptimin e ligjeve pozitive, në thelb qeverisja e vendit reflekton rregullisht nepotizëm, klanizëm, krahinizëm. Kjo do të thotë se e gjithë trupa ligjore dhe nënligjore e Shqipërisë me cilësi bashkëkohore vihet në jetë nga një administratë dhe klasë politike e dominuar nga karakteristikat e mësipërme sociale. Ndaj dhe ligji flet për individë “me merita”, kurse emërimet bazohen mbi “të besuar”. Një ndërtim i tillë bën që administrata, sidomos niveli i saj i lartë, të jetë në mjaft aspekte funksionimi, njëkohësisht edhe klan.

Ky fenomen shfaqet qartësisht kur në rastet e lëvizjeve të drejtorëve të rëndësishëm të administratës, mediatikisht flitet për rënie apo për ngritje të këtij apo atij klani politik brenda mazhorancës. Perceptimi është ekzaktësisht i njëjtë edhe kur në media shkruhet kur SPAK ndjek penalisht drejtorë të lartë të një institucioni apo të një tjetri me titullarë politikë të ndryshëm. Pra, bëhet fjalë për luftë klanesh. Përfshirja e administratës së niveleve të larta në luftën e klaneve politike tregon po ashtu qartë edhe mungesën e depolitizimit të saj, por akoma më keq edhe parimet e lashta mbi të cilat ajo ndërtohet dhe funksionon.

Klanizmi, nepotizmi, krahinizmi kanë një prejardhje të lashtë. Ato trashëgohen nga një epokë kur shoqëria shqiptare ishte ende mjaft primitive dhe kur ende nuk ishte në gjendje të ndante privaten nga publikja sepse kjo e fundit nuk ekzistonte. Të gjitha zgjidhjet e problemeve bazoheshin mbi një forcë apo dhunë gjithmonë me karakter privat. Një trashëgimi e tillë ende e fortë, tregohet në shumë aspekte në përditshmërinë e shoqërisë shqiptare, por sidomos në funksionimin e administratës ku funksioni publik privatizohet në interes të mbajtësit të tij dhe të klanit që përfaqëson dhe jo të mbarë publikut për të cilin është krijuar. Mungesa për shekuj e komponentit social të shoqërisë shqiptare e ka bërë individin e sotëm të dobët në raport me përgjegjshmërinë e tij publike, e për rrjedhim ai ngatërron edhe kufirin ndërmjet asaj që është ligjore dhe tjetrës antiligjore, sepse nuk ka perceptim të qartë për dëmin social që mund të shkaktojë akti i tij. Të dy këto fenomene bëjnë që administrata në përgjithësi dhe ajo e lartë në veçanti të shkelin ligjin, të vjedhin, të pasurohen me paranë publike dhe nga ana tjetër për këtë fakt të ndihen krenar. Ndërkohë për fat të keq, publiku i gjerë, me përjashtime minimale, nuk ndihet i shqetësuar sepse ka të njëjtën mendësi.

Dhe është ky i fundit, problemi më madhor. Krenaria për të ekspozuar luksin, pasurinë e cila është grumbulluar, duke shpërdoruar paranë publike, ka krijuar në këtë mënyrë një moral social të shtrembër, në model negativ për gjithë shoqërinë. Përball kësaj krenarie, turpi për disa vite burg, nuk ekziston. Pavarësisht nga shkëlqimi i pasurisë, shkëlqimi mediatik, veshjet luksoze, pushteti mbi të tjerët, të gjithë këta lloj individësh mbeten primitivë në raport me civilizimin human.

/5pyetjet.al

spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
- Advertisement -spot_img

Më tepër

- Advertisement -spot_img

Lajmet e fundit