“Disa ditë isha i vetmi shqiptar në këtë hyrje. Pos Kërxhiqit me djemtë, që nuk janë të uniformuar, të gjithë serbët banues të këtij pallati janë të mobilizuar dhe të armatosur. Nuk e dinë se jam aty”, shkruante gazetari Zenun Çelaj në ditarin e luftës më 7 prill 1999.
“Një rezervist kishte shtënë me armë përpjetë para vetëshërbimit, nën dritaret e banesës ku jam. U ishte kërcënuar shqiptarëve që prisnin bukë në rresht: Ç’pritni ju shqiptarët! A e dini se kjo është tokë serbe, he nënën…!”, shkruante pesë ditë më vonë.
E mërkurë, 7 prill
Sot e kam ditëlindjen. Asnjë nga më të dashurit nuk i kam afër. Asnjëherë nuk kam festuar ditëlindje dhe s’di pse m’u kujtua. Shëtitja nëpër të kaluarën time më mbushi nostalgji. E ardhmja më frikësoi.
Radio Prishtina, në lajmet e para, njofton: “Kriminelët e NATO-s kanë qëlluar Postën e vjetër të Prishtinës. Janë rrënuar edhe shtëpi përreth. Ka edhe të vdekur.”
Vasfija, që kishte dalë për të shikuar nëse do të jepeshin pensionet, tregon se ndërtesës së Postës “ia kishin nxjerrë zorrët përjashta”. RTV-ja serbe njofton për ndërprerjen e njëanshme të luftimeve nga ana e Ushtrisë dhe policisë jugosllave për nder të Pashkëve Ortodokse. Njoftohet se armëpushimi po respektohet.
Po ashtu njoftohet për një plan për “zgjidhjen politike të problemit të Kosovës”, sipas të cilit Rugova me ithtarët e vet do të formojë organet krahinore të Kosmetit. Po ashtu parashihet edhe kthimi i “të ikurve”. Perëndimi e ka hedhur poshtë këtë ide, si një përpjekje të re të Millosheviqit për të mashtruar.
Pas disa ditë përpjekjesh për të kapërcyer kufirin drejt Tetovës, sot u kthye edhe Qaza (Qazim Qerimi), fqinji. Tani ndihem më mirë. Disa ditë isha i vetmi shqiptar në këtë hyrje. Pos Kërxhiqit me djemtë, që nuk janë të uniformuar, të gjithë serbët banues të këtij pallati, janë të mobilizuar dhe të armatosur. Nuk e dinë se jam aty.
Nga kati i fundit i pallatit, prej nga bëj bisedat telefonike, shoh një pjesë të fushës. Ajo ka filluar të gjelbërojë. Pjeshka e fqinjit tashmë ka lulëzuar. Sigurisht edhe ajo në oborrin e shtëpisë sime, në Velani. Por atë as unë, as kush nga ata me të cilët komunikoj, nuk e kanë parë. S’di a është ende në këmbë.
Emocionet nuk i frenoj dot. Mezi mund fola me djalin dhe me vëllanë. Më duket se flas për herë të fundit me ta.
E enjte 8 prill
Një natë e qetë, madje krejt e qetë. Kur ka qetësi natën, jam i shqetësuar ditën. Këta engjëj të qiellit sikur punojnë vetëm natën. Atëherë pse i fajësojnë kushtet atmosferike.
Erdhi Ibrahim Kadriu me kushëririn Sabri Kadriu. Thotë se në shtëpinë e tij, që është shpinë për shpinë me atë ku jeton Ibrahim Rugova, kanë hyrë policia a ushtria, dreqi e di. Edhe në shtëpinë afër tij, të doktorit Ukë Tahiruka. Pas disa javësh prapë e qitëm shahun. Fitova dhe kjo nuk më ndodh shpesh. Edhe në shtëpinë e Mybera Bujarit kanë hyrë policë ose ushtarë. Ia kishin bërë rrëmujë.
Erdhi edhe uji. Duhet t’i përtërijmë rezervat. Luftë është, nuk i dihet.
Valdetës përsëri nuk i kanë dhënë bukë. Si po e njohin i marrtë djalli! Ajo serbishten e flet pa gabime. Erdhi edhe Bashkimi (Bokshi). M’u duk i qetë. U lëvdua në fqinjën maqedonase. I kishte thënë: Djali e vajza të rrinë tek unë. Ndoshta nuk i kërkon kush këtu.
Lajmet sugjerojnë vazhdimin e bombardimeve. Kjo do të thotë edhe vazhdimin e masakrave serbe mbi shqiptarët. RTV Shqiptar satelitor, që ende e ndjekim, të fut tmerr. Bisedova me Arianitin. Kishte folur me Lirakun. Halldyzi më thotë është mirë.
9-12 prill
Përsëri nuk kisha forcë të mbaja ditar çdo ditë. Fundja, në banesën ku jam mbyllur tash 19 ditë asgjë e veçantë nuk ndodh. Përpiqem ta shkoj kohën i shtrirë, me sy mbyllur, vazhdimisht i zgjuar, duke ndjekur lajmet që më shumë të dëshpërojnë se që të japin shpresë e vullnet për jetë.
Ndonjëherë dëshiron që ndonjë raketë e NATO-s të gabojë trajektoren dhe t’i shkurtojë mundimet. Të vetmit minuta që i pres me gëzim janë në orën 14 e 15 minuta. Telefonit të Nexhdetit nuk i bie zilja, prandaj më duhet të jem aty në orën e minutën e caktuar një ditë më parë dhe ta ngre receptorin herë pas here. Sa gëzohem kur dëgjoj zërin: “Babë, si je…?”
Dajë Keri vendosi të kthehet në banesën e vet, në Kodër të Diellit. Zarifja, bashkëshortja e tij e bashkëvendësja ime, një teknologe e diplomuar, është e vendosur, ndonëse rrezikonte jetën e tre djemve, njëri student. Ai shkoi dhe, meqë nuk u kthye, do të ketë hyrë në banesën e vet. Është një shenjë e mirë, por mund t’i ketë ndodhur edhe më e keqja. Afrim Loxha kishte dalë vetëm te dera e shtëpisë dhe nuk ishte kthyer më.
Valdetja del çdo ditë për t’u furnizuar me bukë dhe kur vjen me bukë gëzohem shumë. Gjithmonë iu kam frikësuar urisë, ani pse nuk jam njeri me shumë oreks. Po Valdetja më sjell edhe informata. Ajo takohet me gra të tjera dhe kështu e di kush ka mbetur në qytet. Marr edhe ndonjë përshëndetje.
Kërxhiqit ia dhashë njëqind marka që të ma paguajë faturën për rrymë. Më tha se mund t’i shkëmbente vetë sipas kursit zyrtar. Nuk kisha zgjidhje. Mund t’u tekej të ma ndërprisnin rrymën, çfarë të bëja pastaj.
Për lagjet periferike të qytetit s’di asgjë. Prej andej as vjen kush, as mund të shkojë kush atje. F. Rrahmani njofton përmes DW-së se në Velani janë vendosur snajperistë dhe se janë djegur disa shtëpi.
Përpiqem të mendoj pozitivisht. Imagjinoj takimin në liri me djalin, Lirakun, nëse shpëton, me Arianitin kur të kthehet me Iliren e me Lekën, që aq shumë e dua, përqafimin e Bardhës e Rozafës aq të dashura, takimin me Iliren e Lirakut.
Me Qazën jemi vazhdimisht bashkë. Më ec muhabeti më shumë se me Fadilin, dhëndrin.
Dhoma ku fle, më drejt të them ku shtrihem, ndahet me mur nga shkallët e hyrjes. Natën përgjoj çdo rrapëllimë. Hapat mund të jenë vetëm të serbëve.
Vetëm ata mund të dalin natën. Kur dëgjoj më shumë hapa, bëhem gati të ballafaqohem me policët. “Këtu je ende? Shporru!” – sikur dëgjoj kërcënimin e tyre. E ndërtoj në kokë menjëherë tregimin. Por, nuk mund e parashoh vazhdimin.
Ndonjëherë përpunoj variantet e shpëtimit nga ky ferr. Të shkoj te djali në UÇK. Por, po u sëmura? Të bëhem barrë e pengesë? Heq dorë. Të futem në kolonat e të dëbuarve, që kalojnë këndej. As kjo s’më pëlqen. T’i them Kërxhiqit ndoshta më përcjell deri në Fushë-Kosovë e pastaj me tren.
Prapë nuk bën. Unë të shpëtoj me këtë moshë e ta lë djalin të vritet, do të ishte turp. Më del varianti më i drejtë dhe më i pranueshëm – të rri. Të pres këtu vdekjen. Po malli për djemtë e nipin e mbesat s’më lë të qetë.
Me bombardimet u mësuam. Çdo buzëmbrëmje e shikoj qiellin nëse është kohë për bombardime të suksesshme.
Sot, më 12 prill, është e hënë. S’kam një kalendar për orientim. Më shqetësoi një e shtënë qe erdhi nga afër. Një rezervist kishte shtënë me armë përpjetë para vetëshërbimit, nën dritaret e banesës ku jam. U ishte kërcënuar shqiptarëve që prisnin bukë në rresht: Ç’pritni ju shqiptarët! A e dini se kjo është tokë serbe, he nënën…!”
Ministrat e NATO-s janë të vendosur të vazhdojnë bombardimet deri sa ta përfundojnë misionin. E çka do të bëhet me ata 300-400 mijë shqiptarët nëpër male, pa bukë, pa shtrojë, pa kulm mbi kokë…?
13-17 prill
Më kanë munguar forca e vullneti të shkruaj, edhe pse këtë e kisha profesion tash 39 vjet. S’ma do zemra, as më punon dora të shkruaj çdo ditë. Ditën e bëj natë, e natën ditë. Ndjekja e lajmeve është i gjithë aktiviteti. Deri para dy netësh, më 14 prill, dritat fikeshin në orën 19 e 20. Ibrahim Kadriu erdhi përsëri. Më tregoi se dy herë kishte shkuar te dera e shtëpisë, në Velani. Guxim a budallallëk, vështirë të ndahet me kufij.
Kishte biseduar me mysafirët e paftuar, nëse mund të hynte në shtëpi të vet, por nuk e kishin lënë. Më tha se të gjitha dyert e shtëpive ishin të hapura. Asnjeri askund, pos njerëzve të uniformuar që të dilnin papritmas pas shpine. E kishte takuar edhe Gerin, qenin ‘Doberman’, që e kishte marrë këlysh para disa muajsh. E çuditshme, më tha, sikur më puthte. Dukej i përmalluar edhe qeni.
Ishte edhe Nehat Islami. Jemi dy-treqind metra larg e nuk mund të shihemi më shpesh. Unë vazhdoj të rri i mbyllur.
Lajmet janë gjithnjë e më të këqija. Ka vetëm ndjekje, vrasje, zhdukje, njerëz nëpër lugina e male të strehuar nën najlona. Skena që nuk të lënë të bësh gjumë. Vetëm nga Kosova e Lirë dhe Kosova Pres vjen ndonjë lajm shpresëdhënës. Shpresë japin edhe deklarimet e zëdhënësve të NATO-s. Por, më tmerron zbrazja e Kosovës.
Arianiti, në bisedat telefonike të përditshme në orën 14 e 15 minuta më jep zemër.
Bukë kam siguruar së paku për një muaj. Valdetja e ka prerë dhe pjekur për së dyti. Me Qazën rri çdo ditë. Banesa e tij është plot me njerëz. Natyra ka nisur të ngjallet. Kush do ta gëzojë?
Fola me Lekën, nipin, në Londër, me mbesat, Bardhen e Rozafën, në Strugë. Të gjithë, si ta kishin bërë me marrëveshje: “Gjysh hajde, na ka marrë malli për ty…” E unë isha mërzitur edhe më shumë për ta. Emocionet shpërthyen pa kontroll.
Nuk mund u dhashë përgjigje. Më duket se kurrë nuk do t’i shoh më. Përpiqem prapë të mendoj pozitivisht. Bluaj në kokë ritakimin me ta, djemtë e rejat, me vëllanë e të afërmit e tjerë.
Botën dhe ardhmëninë i shoh si një tunel të errët, të pafund.
Shkëputur nga kapitulli “Ditari luftës: Ferri para lirisë” i librit “Udhëtim në të shkuarën” i Zenun Çelajt, KOHA