-sidi education-spot_img
21.5 C
Tirana
-sidi education-spot_img

Veton Surroi: Serbia nuk ka frikë nga fajësia, ka frikë nga përgjegjësia

Kryesoret

Rezoluta e Srebrenicës ka të bëjë me zgjedhje vendore, rolin prijës në “serbizëm”, suksesin e bashkërenditjes me Rusinë, por mbi të gjitha me bllokimin e hapit të parë të ballafaqimit me të kaluarën

1.

Kam përcjellë me vëmendje fushatën energjike që e ka zhvilluar presidenti i Serbisë, Vuçiq, prej daljes në opinion të përgatitjes për rezolutën e Asamblesë së përgjithshme të OKB-së për gjenocidin në Srebrenicë, fushatë që do të përfundojë këtë të enjte në New York , më 24 maj kur hidhet në votim rezoluta. Ndonëse që në fillim ai shpalli se objektiv i fushatës është pak a shumë i humbur – Rezoluta, sipas tij, do të kalojë, sepse pas saj qëndrojnë shtetet e fuqishme – megjithatë paraqiti si objektiv alternativ një lloj inati, “t’ua bëjmë më të vështirë adoptimin e Rezolutës”.

Nuk besoj në këtë shpjegim – inati mund të jetë mjet i politikës, jo objektiv i saj- ndaj, po përpiqem të ndaj në dy pjesë ato që mendoj se janë objektivat e politikës serbe. Objektivi i parë mund të quhet taktik (ndonëse ka përzierje caqesh strategjike në të) dhe mund t’i përcaktojmë me katër pika: zgjedhjet vendore, roli prijës në serbizëm, Mali i zi dhe Jugu global.

Te zgjedhjet vendore, që duhet të mbahen më 2 qershor nuk ekziston ndonjë dilemë a nevojë për shpjegim më të madh. Zgjedhjet në Serbi tashmë janë të personalizuara me figurën e Vuçiqit – këtë e pranon partia në pushtet, e cila është strukur nën ombrellën e madhe të emrit të Vuçiqit dhe këtë e pranon opozita, e cila përfytyron se kudo që të fitojë në zgjedhje nuk do ta mundë kandidatin e partisë në pushtet, por Vuçiqin. Pjesëmarrja e presidentit serb në një ngjarje të vetëpërshkruar si konflikt mes Davidit serb dhe Goliatit të madh ndërkombëtar (e Perëndimor) do të duhej të tërhiqte votën, posaçërisht në pjesën e djathtë të elektoratit, të atyre që është më me rëndësi se si do të konfrontohet presidenti me Perëndimin, se çfarë është premtimi i radhës zgjedhor për rregullimin e trafikut urban apo të hapjes së çerdhes së re në lagje.

2.

Sikur me zgjedhjet, shkuarja në New York i ndihmon Vuçiqit të mbajë rolin e primatit në “serbizëm”, në një moment kur lideri i entitetit serb në BeH del orë e çast me kërcënime për zhbërjen e shtetit. Fushata në New York është me rëndësi për të treguar se adresa e serbizmit është ajo e presidentit serb, në mënyrë që të mos përzihet me atë të potencialit të M.Dodikut apo të potencialit të përdorimit të tij prej Rusisë, për shembull.

Dhe, meqë jemi te Rusia, dëmi kolateral i kësaj fushate mund fare lehtë të jetë Mali i Zi. Duke dashur të ndërtojë një pozicion pro-perëndimor, kryeministri Spajiq ka paraqitur dy amendamente në draftrezolutën, një për individualizimin e fajit dhe tjetri për ruajtjen e BeH me Dayton. Një veprim i këtillë është quajtur i “turpshëm” prej Vuçiqit, ngase në njërën anë i lejon Malit të Zi të votojë pro, e nga ana tjetër, ia heq nga dora argumentin e Serbisë se Rezoluta fajëson kolektivisht popullin serb. Por, objektivi i presidentit serb mund të mos jetë hidhërimi-hidhërimi është vetëm mjet. Motivi i Serbisë mund të jetë reagimi ndaj percepcionit të ndërtuar në diplomacinë evropiane, në radhë të parë gjermane, se në gjendjen çfarë është sot Ballkani Perëndimor do të ishte mirë që shteti më i avancuar në negociata anëtarësimi, të bëhet shteti i 29-të i BE-së më 2030. Një shtytje e këtillë, madje edhe artificiale, do ta linte të eksponuar si joreformist shtetin e Serbisë, madje shumë më të largët prej Evropës se në çfarëdo skenari negativ.

Një Mal i Zi i cili voton pro Rezolutës për Srebrenicën do të futet në kategorinë e Bllokut Perëndimor dhe rrjedhimisht, është rritur presioni ndaj Qeverisë e cila ka ardhur në pushtet mes tjerash edhe nga veprimi i koordinuar politik-kishtar nga Beogradi.

Por, pozicioni i Malit të Zi dhe i të tjerëve tejkalon ndarjet e Ballkanit perëndimor. Politika e Serbisë dhe Rusisë (ndoshta edhe e fuqive mëdha aleate si Kina e Irani) do të jetë që të rritet numri i votuesve abstenues që së bashku me shtetet që janë kundër, të krijojnë një reflektim të ri të ndarjes në botë mes asaj që Rusia (dhe Serbia) quajnë Perëndim kolektiv dhe “Jugut global” (për të mos përmendur projektin më ambicioz BRICS).

Konfrontimi rreth Rezolutës së Srebrenicës mund të rezultojë me fuqizimin e identitetit “neutral” të Serbisë- ashtu siç e ka përshkruar presidenti i këtij vendi- në një “rrugë evropiane”, “në partneritet strategjik” me Rusinë, me “ardhmëri të përbashkët” me Kinën.

3.

Pra, jo, fushata e Serbisë nuk është e udhëhequr me inat; ekziston një analizë racionale e veprimeve që duhet të krijojë depërtime taktike dhe, siç pamë në rastin e “Jugut global” (apo BRICS) edhe strategjike. Dhe, thellë në strategji, por jashtë një konteksti të pastër gjeopolitik, presidenti serb po zhvillon një fushatë kundër konceptit evropian të “kulturës së kujtesës” apo “ballafaqimit me të kaluarën”, të lindur fillimisht në Gjermani pas fundit të Luftës së Dytë Botërore. Mendimtarë eminentë të kulturës gjermane a gjermanofone u thelluan në çështjen e fajit për tmerret që i kishte shkaktuar Gjermania naziste ndaj popujve të tjera. Ndërsa ndihmësit e afërt (e të mbetur gjallë) të Hitlerit u dënuan penalisht në Gjykatën e Nurnmbergut, mbeti pyetja se a përmbyllet me kaq faji e përgjegjësia.

Karl Jaspers, filozof dhe psikiatër, në një sërë ligjëratash që më vonë do të përmblidhen në librin “Për fajësinë gjermane” zhvilloi më tutje idenë e fajit, përtej atij penal. Gjermania, sipas tij, përmbante edhe tri “faje” –moral, politik dhe metafizik-që mund të përmblidhen në konceptin e përgjegjësisë. Pra, përderisa gjeneralët e Hitlerit kanë zhvilluar luftë e gjenocid, ata janë fajtorë para ligjit, por kjo nuk e shfajëson, apo shkarkon nga përgjegjësia tërë shoqërinë.

Siç do të të thotë në njërën prej ligjëratave më 1946, faji penal rezulton nga krimet e kryera nga individë dhe mund të provohet me fakte objektive. Për dallim, faji politik mbahet nga çdo qytetar i shtetit, sepse “gjithkush është përgjegjës për mënyrën se si qeveriset”. Dhe, prej fundit të Luftës së Dytë Botërore, Gjermania është marrë me përgjegjësinë e vet për mënyrën se si e ka qeverisur veten në kohën kur forcat e këtij shteti kanë kryer krime kundër popujve të tjerë.

Serbia është duke zhvilluar fushatë, sepse nuk do të ndjekë këtë rrugë. Liderët serbë janë të vetëdijshëm-përkundër deklarimeve të kundërta-se Rezoluta e Srebrenicës nuk e fajëson kolektivisht as shtetin e as popullin serb. Tashmë është e qartë se fajësinë penale për gjenocidin në Srebrenicë e bartin Radovan Karaxhiq dhe Ratko Mlladiq. Por, shteti serb dhe politika serbe nuk dëshiron ta bëjë hapin e radhës, atë të kalimit prej fajit individual në përgjegjësi kolektive. Sepse, Karaxhiq dhe Mlladiq nuk ishin përjashtim prej një koncepti politik e ushtarak, ata ishin prodhim i një shumice politike në Serbi e në mesin e serbëve të BeH.

Hapi i ardhshëm që do të duhej të çonte kah ballafaqimi me të kaluarën do të duhej të ishte se çfarë është përgjegjësia e Serbisë dhe e shoqërisë serbe, të fashizmit të filluar në Kosovë e të zhvilluar drejt zhbërjes së përgjakshme të Jugosllavisë?

4.

Serbia nuk po e zhvillon fushatën e vet kundër Rezolutës në Srebrenicë nga frika e fajësimit. Fajin penal e mbajnë tashmë Karaxhiq e Mlladiq ndërkohë që me aktgjykimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë në Hagë, Serbia nuk është fajësuar për gjenocid në BeH, por është konstatuar se nuk ka ndërmarrë masa për ta penguar atë.

Me një këso formulimi Serbia ka qenë e gatshme të bashkëjetojë, deri në hartimin e Rezolutës së Srebrenicës, e cila duhet të mundësojë që e tërë bota të përkujtojë ditën kur u bë krimi më i madh në Evropë pas Luftës së Dytë Botërore. Kjo rezolutë po i pengon Serbisë së sotme sepse i duhet të pranojë se krimi më i madh në Evropën e fundshekullit u bë në Srebrenicë dhe që pos fajit penal, ekziston përgjegjësia, ajo e Serbisë dhe e shoqërisë serbe. Jo vetëm përgjegjësia për armatosje e financim të luftës në BeH, por mbi të gjitha për mundësimin e një mendjeje kolektive që i bën të pranueshme për të krimet kundër njerëzimit e në fund edhe gjenocidin.

Karl Jung, psikanalisti zviceran që analizoi shoqërinë gjermane në gjysmën e parë të shekullit XX konstatoi në librin e tij  “Pas katastrofës”  më 1945 se “Te Hitleri, çdo gjerman duhet të kishte parë hijen vetjake, rrezikun e vet më të keq”. Tashmë gati tetëdhjetë vjet zhvillohet ky brendavështrim në shoqërinë gjermane

Në analogji ,gjithsesi të largët në përmasa,  çdo qytetar i Serbisë duhej të shihte te Milosheviqi hijen e vet, rrezikun e vet më të keq. Ky proces nuk po zhvillohet dhe udhëheqja e saj po përpiqet, me kundërshtimin e Rezolutës së Srebrenicës, që ky proces të mos fillojë. “Cili gjenocid? Nuk ka pasur gjenocid” / KOHA

/5pyetjet.al

spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
- Advertisement -spot_img

Më tepër

- Advertisement -spot_img

Lajmet e fundit