-sidi education-spot_img
18.4 C
Tirana
-sidi education-spot_img

Bedri Islami: Qeverisjen e kalbur e mban në këmbë stërkalbëzimi i opozitës

Kryesoret

Opozita e sotme e ka krijuar bindjen se, edhe në zgjedhjet e vitit 2025, si më parë, humbja e tyre do të jetë e thellë, ndoshta më e thellë se heret e tjera. Sondazhet që bëjnë ia kanë ngulitur drojën se viti 2025 do të jetë shembulltyrë e vitit 1997, ose diku afër tij.

Unë jam i prirur të mirë kuptoj në sinqeritetin e tyre të gjithë ata militantë të opozitës, të cilët besojnë deri në fund se, i vetmi njeri që mund t’i rezistojë pushtetit të Edi Ramës, është drejtuesi i tyre, Saliu. Nuk e di nga e kanë këtë besim. Duket i pa kuptimtë në ditët e tanishme. Por ata e besojnë.

Prova të shkurtra bënë me Shehun, Selamajn apo Bashën si kryetarë. Të tre u përzunë nga partia dhe vetëm kush u kthye kokëulur bëri përsëri vend. Eksperimenti më i keq ishte zgjedhja e Bashës. Berisha thirri pranë vetes dikë që mund t’i besonin vetëm familjarët e tij; ai vetë nuk beson askënd.

Basha ishte e vazhdon të mbetet si ato domatet e gjelbëra të fillim tetorit, që nuk arrijnë kurrë të bëhen të kuqe. Ai ishte i gatshëm të shesë nderin, ndërgjegjen, kolegët, bindjet e tij për pasuri. Dhe kaq bëri.

Në Shqipëri, që nga janari i vitit 1991, politika është përceptuar si luftë, për fat të keq,  jo e vizioneve, por e përplasjes dhe e dhunës. Njeriu, të cilit i besojnë, është arkitekt i kësaj.

Në fakt, asnjëherë opozita e tanishme, duke përjashtuar 22 marsin e vitit 1992, nuk ka qenë fituese në zgjedhje. Që nga referendumi për Kushtetutën në vitin 1994, deri në majin e vitit 2023, në zgjedhjet e fundit vendore, Berisha ka humbur. Partia e tij ka pasur rënie në humnerën e politikës, ngritje të vogla, të përkohshme, marëdhënie fluide me të tjerët, por kurrë nuk u bë forca e parë politike në vend. Edhe kur kishin në duar presidencën, Shërbimin Informativ, Gjykatën, Prokurorinë, Qeverinë, gjithçka. Të gjitha zgjedhjet i ka humbur.

Kthimi në pushtet në vitin 2005 ishte dita e ndarjes së të majtës, për hir të pushtetit dhe pasurisë, dhe jo fitorja e së djathtës.

Tani, pasi të hënën, 7 tetor,  përdori metodën e parë të mos bindjes civile, opozitës i kanë mbetur edhe 76 metoda të tjera. Gjithnjë sipas thënies të së djeshmes nga lideri i tyre i përjetshëm. Deri në zgjedhjet e vitit të ardhshëm ka kohë për të provuar gjithçka dhe për të mësuar shumëçka.

Thanë se protesta ishte për Salianjin, por askush nuk u kujtua për të. Salianji nuk është as ide, as faktor, as vizion. Thanë që synojnë krijimin e një qeverie teknike, jashtë forcave politike!! Dhe ku shefi i qeverisë të mos jetë Edi Rama. Me këtë do justifikojnë humbjen, apo, edhe më keq se kaq, braktisjen e zgjedhjeve politike. Pasi është e vështirë që Rama të krijojë qeverinë teknike. I ka të gjitha, përse duhet t’i lëshojë?

Askush nuk ikën me dëshirë nga qeverisja, sidomos në pragun e zgjedhjeve politike. Sipas një rregulli të pa shkruar, kush tërhiqet – ai humbet, dhe Rama e di fare mirë këtë. Ai humbi në vitin 2009, jo se nuk mori votat e duhura, por se pushteti i kohës, ku shefi i qeverisë ishte pikërisht Berisha, vodhi votat haptas, bandat e lidhura me të shkelmuan çdo ligj zgjedhor, e në fund, si për të dëshmuar pushtetin, fletët e votimit u dogjën në zallin e tharë të një lumi.

Rama mund të bëjë një qeveri si atë të vitit 2017, të lëshojë disa dikastere të rëndësishme, ku opozita të shkojë e të luajë ministrash, mund të heqë dorë nga disa institucione ku bëhet grumbullimi i parasë, dhe abuzimet janë më të mëdha; ai mundet që të krijojë një zyrë të posaçme për një zevendëskryeministër të ri, por jo të lëshojë zyrën e tij.

Më është kujtuar orët e fundit një histori e Osman Gazepit dhe kërkoj ndjesë për krahasimin. Kur në fundin e vitit 1948 apo fillimin e ’49-tës, ndodhi arrestimi dhe burgosja e Koxi Xoxes, në burgun e madh të Tiranës, ku ishin të burgosur dhjetra figura të njohura të shkencës, politikës, letërsisë, dikush hodhi fjalën se pas pak ditësh do të lirohen. “Fajin, tha ai, do ia lënë Koxi Xoxes”.

Disa u bënë entuziastë, disa të tjerë menduan të përgatitin rrobat. Osman Gazepi, zogisti i vjetër, që ishte edhe babai i tre partizanëve, njëri i vrarë në Tendën e Qypit,  nuk luajti nga vendi dhe u tha, “ Mblidheni mendjen o të marrë! Enver Hoxha çfarë nuk hoqi deri sa na mblodhi e tani të na lëshojë?!”.

Krahasimi çalon në të gjitha drejtimet, por një mesazh sjell. Edi Rama çfarë nuk hoqi deri sa mori pushtetin. Atë e rrahën, e linçuan, e braktisën, u detyrua të ikë dhe të kthehet, të jetë një makiavelist i fortë në lojën e pushtetit, të rrahë shpatullat e Berishës pas Gerdecit, të jetë në një darka ngjalash me Ilir Metën, të bjerë copë dhe të puthet me Fatos Nanon, të marrë me të mirë Gramoz Ruçin e Namik Doklen, të largojë një plejadë të shquar të së majtës, të durojë Lulzim Bashën kur i hidhte vickla, të dëgjojë kërcënimet e Palokës, që dikur mblidhte rrugaçë për ta goditur, të futë në lojë figura të lidhur me bandat dhe ndonjëherë t’i bëjë edhe pjesë të parlamentit, të linçojë kolegët e tij ish ministra që burgosen e dënohen…

Dhe tani të largohet se ia kërkon dikush, të cilin bota perëndimore e ka lënë në vetminë e tij, as e përfill e as e ka në refene, dhe ky vetë, Edi Rama, nuk ia ka më frikën?

E bëri Ilir Metën të flasë me vete, të marrë malet apo të zhytet në pellgje me ujë, nga ku del si bajlozi i detit; Berisha u mbyll në “ tetë penxheret” e shtëpisë së tij; partitë e vogla satelite të opozitës janë vetëm figurina që zgjohen kur bëhen zgjedhjet. Askush në pluralizëm nuk ka pasur pushtet më absolut se ai.

Me aq zullume sa ka bërë qeveria e tanishme, në tri mandate në pushtet, ajo do të kishte rënë me kohë si fik i pjekur. Me punët e dobishme që ka bërë thotë se meriton të rrijë përsëri në pushtet. Por kalbëzimin e qeverisë e mban ende në këm stërkalbëzimi i opozitës.

Ky është fakt, që, sido ta mendosh qeverisjen, përsëri mbetet.

Ata të protestës së fundit duke dashur të dëshmonin ndikimin e liderit të tyre, befas, kuptuan se ndodhi e kundërta. Bojkoti ishte pikërisht për njeriun që ata besojnë se do t’u kthejë mrekullinë e pushtetit.

Kjo protestë, sa më shpejt të harrohet, aq më e dobishme do të jetë për opozitën. Thirrjet delirante, 77 mënyrat e mosbindjes civile të lakuara nga dritarja e katit të tretë, mollotovët e hedhur, dërgimi i notave të protestës – të gjitha këto nuk i çojnë në pushtet.

Dobësia e opozitës nuk është thjeshtë besimi në një njeri të vetëm, apo tek ai grumbulli që marshon pa e ditur se ku do të shkojë.

Është një punë e vështirë për opozitën, që ende nuk e përcepton, sa e urtë është të ndalosh një fushatë përpara çastit kur dhuna shdërrohet në raskapitje. Por ata kanë sërish e sërish në krye të njëjtin njeri që nuk njeh as paqe, as arsye, as drejtësi. Veç lista përmbytjesh dhe dhunë të vazhdueshme. Mjerë kush beson vërtetë se ai mund t’i kthejë në pushtet.

/5pyetjet.al

spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
- Advertisement -spot_img

Më tepër

- Advertisement -spot_img

Lajmet e fundit