Tre shqiptarë u arrestuan në Itali, pasi u kapën duke shkarkuar nga një kontejner me banane në port, një ngarkesë më rreth 40 kilogram kokainë. Ato janë 49-vjeçari Alfons Teqa, 30-vjeçari Athanas Xhuveli dhe 36-vjeçari Rushan Kanushi, ky i fundit rezident në zonën e komunën Sant’Elpidio a Mare, në provincën e Fermos, në Marche.
Sipas mediave italiane, tre shqiptarët kishin mbërritur në qytet me një makinë me qira, duke qëndruar natën në motel të zonës, por pasmesnatën mes 25 dhe 26 Tetorit ata shkuan me urgjencë drejt portit për të shkarkuar një ngarkesë me 40 kilogramë kokainë të pastër që sapo kishte ardhur me anije tregtare nga Ekuadori, e fshehur mes bananeve dhe brenda një kontejneri.
Alfons Teqa dhe Athanas Xhuveli dyshohet se kishin ardhur direkt nga Shqipëria, ndërsa Rushan Kanushi, dyshohet se ka qenë në Itali përpara se të mbërrinte në qytet, për të marrë sasinë e madhe të drogës.
Ata dyshohet se janë punësuar si korrierë për të tërhequr dhe dorëzuar mallin për organizatën. Po ashtu, ke vete ata mbanin çantat e shpinës, ku kishin të gjitha pajisjet e nevojshme për të hapur kontejnerin e sapozbritur.