Lideri i opozitës Sali Berisha nga tubimi në ballkonin e banesës së tij u zotua para qytetarëve shqiptarë që me programin e PD do të dyfishojë buxhetin për shëndetin e njerëzve.
Berisha deklaroi se do të dyfishojë buxhetin për ilaçet, për parandalimin e sëmundjeve, për mjekimin e tyre, si dhe për diagnozën e hershme të tyre.
“Ndaj dhe ne zotohemi që të investojmë në teknologjinë më të lartë, por mbi të gjitha ne do investojmë tek mjeku dhe infermierët. Do bëjmë që mundi dhe djersa e tyre të marrë të gjithë shpërblimin që meriton. Do bëjmë gjithçka që nëpërmjet investimit tek mjekët dhe infermierët, spitalet tona të mos boshatisen nga personeli. Specialitetet do të gëzojnë mbështetjen më të madhe. Rimbursimi i ilaçeve, Shqipëria do të ketë listën më të gjerë të rimbursimit të barnave në rajon.
Kjo që bëhet sot me pensionistët, që u hiqen barnat e hollimit të gjakut dhe barna të tjera, është dënim për ta, është ndëshkim për ta. Kjo që bëhet sot me të sëmurët në Onkologjik, që lihen pa aparaturat bashkëkohore të mjekimit dhe diagnozës, pa ilaçet jetike për luftën kundër atyre sëmundjeve, nuk do ndodhë kurrë më.”, deklaroi Berisha.