Në Ditën Ndërkombëtare të Diasporës, Ministri i Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Taulant Balla, priti Këshillin Kombëtar të Diasporës për të diskutuar për rëndësinë e mësimdhënies së gjuhës shqipe. Gjatë takimit, Balla theksoi se është thelbësore të sigurohet mundësia për çdo fëmijë me prindër shqiptarë që të mësojë gjuhën shqipe, duke ruajtur kështu identitetin kombëtar.
Ministri Balla sugjeroi përdorimin e mundësive të komunikimit digjital dhe rrjeteve sociale për mësimin online të shqipes, duke i bërë ato pjesë të një platforme të gjerë edukative për diasporën. Ai gjithashtu theksoi suksesin e fazës së parë të programit “Mësues për Diasporën”, që u realizua në Greqi dhe shprehu angazhimin për ta zgjeruar këtë model edhe në vendet e tjera me komunitete shqiptare.
Në përfundim, Balla dhe përfaqësuesit e Këshillit Kombëtar të Diasporës theksuan rëndësinë e forcimit të bashkëpunimit me diasporën për promovimin e shqipes dhe përfitimin nga mundësitë që ofron diaspora në fusha të tilla si ekonomia dhe turizmi.