Ish-kryeministri Sali Berisha shpalosi sot programin e shëndetësisë së Partisë Demokratike. Ofertën për qytetarët për zgjedhjet e 11 Majit. Berisha premtoi dyfishimin e pagave për mjekët dhe infermieret, rritjen e medikamenteve me rimbursim por edhe investime në infrastrukturë. Ai tha se Spitali Onkologjik do të shkëputet nga QSUT dhe do të jetë një Institut i Tumoreve që do të ketë një buxhet me vetë.
“Onkologjiku do të shkëputet nga QSUT sepse është konstatuar se QSUT i ka vjedhur dhe shkatërruar të sëmurët. Ajo drejtori famëzezë ka bërë tendera të përsëritura pa sjellë asnjë ilaç. Askush nuk ka punë më të vështirë se mjekët e onkologjikut, por ama heshtja e tyre nuk mund të pranohet. Po pse duhet të heshtin ata para hajdutëve drejtorë dhe ministra. Dhe kanë heshtur. Ka prej tyre që nuk kanë heshtur, kanë ikur dhe e kanë nderuar bluzën e bardhë.
Ndaj do krijohet Instituti i Tumoreve. Ky institut do ketë buxhetin e vet dhe i garantoj shqiptarët se sado që të kushtojnë ilaçet e tyre, të cilat përdoren në BE, do përdoren në Shqipëri. Unë e di se këto ilaçe janë shumë të kushtueshme, por e di se ky shtet ka çdo mundësi për t’i blerë ato.
T’u them një gjë, por për kohën që kam qenë kryeministër, nuk më ka ardhur kurrë një lajm se aty mungojnë ilaçet. Mund të ketë ardhur njëherë nga hematologjia dhe e blemë. Kushtonte jashtë mase. Nuk mundet shteti që të mos blejë ilaçet që janë të domosdoshme”, tha Berisha.