Kreu i Partisë Mundësia, Agron Shehaj ka zhvilluar një takim me qytetarët në qytetin e Pogradecit. Shehaj ka hedhur akuza ndaj kryeministrit, ku sipas tij “Ramës i duhet vota juaj për tu mbrojtur nga SPAK-u”.
Ai ka shprehur se Rama ka ndryshuar qëndrim nga drejtësisë dhe ndaj SPAK.
“Tre javë më parë, kur arrestuan krahu i tij i djathtë, Erion Veliajn, fillimisht Rama nisi të sulmonte SPAK-un. I çoi militantët që rrethuan SPAK-un, rrethuan gjyqtarët, i fikën dritat, ndaluan fugonin e policisë, dhe i quajti hetues si në kohën e regjimit komunist. I quajti Dumanin dhe prokurorët e SPAK-ut si hetues të diktaturës. Por tani, që po afrojnë zgjedhjet, Edi Rama ka ndryshuar totalisht sjellje. E di shumë mirë që duhet të gënjejë. Është mjeshtër në këtë punë. Ka filluar të thotë: ‘Jo, Dumanin e bëra unë. Dumanin e mbështeta unë. Pa mua, Dumanin nuk do ta kishin bërë.’ Kaloi nga ai që e quante Dumanin hetues të diktaturës, në atë që thotë se e ka bërë vetë Dumanin.”, ka thënë Shehaj.
Ai ka theksuar edhe se vota e Partisë Mundësia nuk do të shkojë kurrë kundër drejtësisë.
“Dhe shpesh dëgjoj që thonë: ‘Agron, çfarë do bëjë Partia Mundësia? Do bëhet me Ramën Partia Mundësia? Do bëhet me Berishën Partia Mundësia?’ Jo, mo jo. Unë e kam thënë qartë: Votat e Partisë Mundësia nuk kanë për të shkuar kurrë kundër drejtësisë”, ka thënë Shehaj.