Patronazh-Sigurimi ose patronazhimi i shkrirë me administratën publike është një nga shtyllat më të fuqishme të regjimit të Edi Ramës, një mekanizëm kapilar kontrolli që futet deri në lagjen dhe shtëpinë e qytetarëve.
Në çdo demokraci, partitë politike përpiqen të njohin zgjedhësit e tyre, të kuptojnë preferencat e tyre dhe t’i mobilizojnë në zgjedhje. Kjo është normale. Por në Shqipëri kemi një devijim të rrezikshëm: patronazhimi nuk bëhet nga strukturat partiake, por nga vetë administrata publike. Pra, nga punonjës që paguhen me taksat e qytetarëve për të shërbyer të gjithëve, jo për të shërbyer një partie.
Kjo do të thotë se aparati shtetëror është shkrirë me partinë në pushtet dhe përdoret si mjet politik. Nepunësi i bashkisë, mësuesi, infermierja, punonjësi i tatimeve, përkrahë detyrës së tyre zyrtare (që shpesh as nuk e kryejnë) u kërkohet të patronazhojnë bashkëqytetarët e tyre duke përpiluar lista dhe duke ndikuar dhe trysnuar drejtpërdrejtë vendimet e tyre politike.
Një “Sigurim” në formë dhe qëllim i përshtatur me kohët moderne
Ky patronazhim nuk është vetëm një listë emrash. Ai është një sistem modern mbikëqyrje. Punonjësit e shtetit kanë në dorë të dhëna të ndjeshme: tatimet, pronat, ndihmat ekonomike, historikun shëndetësor. Këto të dhëna, në vend që të mbrohen nga ligji, përdoren për qëllime politike.
Është një ngjashmëri në formë dhe në qëllim me Sigurimin e Shtetit në komunizëm, por i maskuar si administratë moderne. Prandaj, emri i tij i saktë është Patronazh–Sigurimi dhe duhet thërritur si i tillë deri sa të imponohet në debatin publik.
Frika që ky sistem injekton është e prekshme. Në çdo fshat e çdo lagje, njerëzit e dinë kush është “patronazhisti” i tyre, e dinë që ky person di për ta më shumë sesa duhet, dhe e dinë që kjo dije përdoret si armë politike. Në çdo fshat e lagje, patronazhimi qëndron mbi kokën e njerëzve si një hije e rëndë e cila zmadhohet sa herë afrohen zgjedhjet dhe intensifikohet puna e patronazhistëve.
Karota (joshja) dhe shkopi (kërcënimi) si dy nivele të funksionimit të sistemit
Joshja: Sa më shumë afrojnë zgjedhjet aq më shumë intensifikohet puna e patronazhistëve të cilët dalin plotësisht nga roli i tyre i nëpunësve publik për të veshur kapelën e “miku” socialist. Derë më derë, deri vonë natën i kemi parë me bllok në dorë të pyesin qytetarët shqiptarë se për çfarë kishin nevojë. Jo se nuk e bëjnë dot në periudha jo zgjedhore por sepse e din se kujtesa, sidomos për sa i përket veprimtarisë publike është e shkurtër dhe si e tillë “nderet” që në fakt duhet të jetë thjeshtë kryerja e detyrës duhet të bëhen sa më afër periudhës zgjedhore.
Natën gjithashtu, derë më derë i kemi parë të shkojnë të dorëzojnë zarfe me para për të blerë qytetarët që fatkeqësisht për veten e tyre dhe për të gjithë ne, nuk e kuptojnë se sa e jetike është vota e tyre dhe se në fakt, duke u blerë ata tjetërsojnë të ardhmen e tyre. Një karot për një shkop mbi kokën e tyre.
Joshja funksionon edhe duke u mbështetur tek funksionimi tribal shqiptar dhe vështirësitë ekonomike të familjeve. Në këto zgjedhje kemi parë një fenomen të veçantë. Patronazhistët zgjidhnin vetëm një (ndonjëherë dy) anëtarë të një familje dhe e punësonin në administratë, shpesh djalin apo kryefamiljarin e familjes duke detyruar kështu të gjithë familjen.
Kërcënimi: nëse karota nuk funksionon, vjen kërcënimi. Nuk e di sa herë e kemi dëgjuar në terren fjalët: “të lutem se kam një familjarë në administratë”. Kërcënimet vijnë drejtpërdrejtë në telefonat e familjarëve nëpunës duke krijuar një rreth vicioz.
“Do t’i heqim kusheririn nga puna”, “do t’i ndërpresim ndihmën ekonomike”, “do të të kontrollojmë biznesin”. Presioni nuk ushtrohet vetëm mbi individin, por edhe mbi familjarët e tij. Një ripërdorim i qartë i mekanizmave të komunizmit, ku shtypja e një personi bëhej përmes frikës kolektive të gjithë familjes. Në këtë rreth vicioz edhe ata që nuk janë militant të Rilindjes socialiste detyrohen kundrejt saj duke u bërë objekt trysnie dhe kërcënimi për veten dhe familjarët e tyre.
Fryrja artificiale e administratës
Administrata publike në Shqipëri është fryrë në mënyrë të qëllimshme nga regjimi, jo për të ofruar më shumë shërbime, por për të pasur një ushtri njerëzish që i detyrohen partisë vendin e punës. Sidomos në prag zgjedhjesh, numri i kontratave të përkohshme rritet ndjeshëm, duke krijuar një rrjet njerëzish që me dëshirë ose të ndikuar bëjnë fushatë për partinë që u ka dhënë punë.
Këta punonjës nuk janë vetëm votues të sigurt, ata janë patronazhistë aktivë. Ata shkojnë derë më derë, mbajnë lista, raportojnë tek eprorët politikë, dhe në ditën e zgjedhjeve dinë saktësisht kë duhet të çojnë në qendër votimi dhe kë duhet ta mbajnë nën vëzhgim. Ata e din me një saktësi kirurgjikale se sa votues kanë për çdo kuti.
Kjo nuk është thjesht punësim, është blerje besnikërie me paratë e shtetit. Dhe kur i gjithë shteti është kthyer në një strukturë patronazhimi, barazia në garën politike zhduket.
Shembulli i zgjedhjeve
Rasti i famshëm i nje drejtoreshe të administratës publike në një zyrë të paligjshme apo publikimi i bazës së të dhënave të patronazhistëve (me qindra mijëra qytetarë të profilizuar politikisht fal një baze të dhënash të imtësishme që vetëm administrata publike mund të ndërtonte) nuk është thjesht një skandal etik dhe ligjor. Është prova shkencore e shkrirjes së shtetit me partinë. Dhe pavarësisht se skandali ishte i përmasave të mëdha, asnjë masë serioze nuk u mor, sepse ky sistem është vetë skeleti mbi të cilin qëndron pushteti.
Partia në pushtet është shkrirë plotësisht me administratën, duke e kthyer atë në një ushtri të disiplinuar dhe tejet të rrezikshme për demokracinë.









