Presidenti Bajram Begaj mori pjesë sot në Takimin e Nivelit të Lartë të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së për 30-vjetorin e Konferencës së Katërt Botërore për Gratë.
Begaj gjatë fjalës së tij renditi reformat ligjore, institucionale dhe shoqërore të ndërmarra nga Shqipëria për barazinë gjinore, rritjen e buxhetit dhe fondeve, fuqizimin e rolit të vajzave dhe grave në vendimmarrje të rëndësishme.
Ai theksoi se këto reforma të ndërmarra e kanë bërë barazinë gjinore një aspekt të rëndësishëm të shoqërisë shqiptare.
“Shqipëria është zotuar për dy veprime prioritare sipas Agjendës së Veprimit Pekin+30: së pari të intensifikojë përpjekjet për të eliminuar dhunën ndaj grave dhe së dyti të zgjerojë zbatimin e buxhetimit të përgjegjshëm ndaj gjinisë”, u shpreh Begaj.









