Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Përparim Gruda kërkon që në Komunën e Mitrovicës të ketë rivotim. Kjo pasi që në disa qendra në këtë Komunë, ndër më të mëdhatë në qytet, sipas tij, janë vërejtur parregullsi gjatë procesit të votimit.
Ai ka pretenduar se ka pasur bartje të fletëvotimeve nga qendra në qendër dhe sipas tij, kjo nuk ka guxuar të ndodhë, sepse ajo bie ndesh me Ligjin për Zgjedhjet dhe me Rregullat e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.
Gruda ka thënë se kodi që ndodhet në çdo fletëvotim shërben si element identifikues i vendvotimit dhe si mekanizëm sigurie për të parandaluar bartjen e fletëvotimeve nga një qendër në tjetrën.
“Gjatë ditës së djeshme, komisionerët tanë, gjatë procesit të numërimit, kanë vërejtur parregullsi të rënda: fletëvotime me një numër serik të caktuar, që u takonin një klase votimi, janë gjetur në klasë tjetër, madje edhe në qendra të tjera votimi. Pra, ka pasur bartje të një fletëvotimi nga një shkollë në shkollën tjetër. Me të marrë këto informacione, komisionerët e PDK-së kanë alarmuar menjëherë organet e rendit dhe drejtësisë, ndërsa përfaqësuesit tanë në KQZ kanë dalë në vendin e ngjarjes. Si pasojë, dhe siç tashmë e dini, procesi i numërimit është ndalur”, ka thënë ai.









