-sidi education-spot_img
14.5 C
Tirana
-sidi education-spot_img

Fadil Maloku: Spektakli emocional i Ramës për të mbuluar kalbëzimin e ‘demokracisë’ shqiptare!

Kryesoret

Në sociologjinë e komunikimit politik, deklarata e  Edi Rames, “Tani, mund të jetë sekret shtetëror këtu në Kosovë, por nuk është sekret shtetëror edhe për mua që presidentja e Kosovës është kërcënuar… Është kërcënuar sepse nuk ka lejuar që prokurorët të dhunonin zyrën e institucionit të Presidentit”, mund të shquhet jo si politikë realiste e as politikë diplomatike, ku gjërat apo sekretet shtetërore të një vendi thuhen me eufemizëm, por si politikë e emocionalizimit, të cilën ai e përdori jo për të shprehur ndonjë solidaritet kombëtar, por për të shpërlarë mëkatet e “Ballkanit të Hapur”: ato të koketimit me Aleksander Vuçiq rreth “ndarjes së Kosovës”, pastaj ato të “solidaritetit” me Serbinë rreth insistimit kategorik për krijimin e Gjykatës Speciale (iu kujtohet skena makabre e aterrimit të tij në Prishtinë me helikopter, për të ushtruar ndikim të paprecedent mbi deputetët e Kosovës për ta votuar gjithqysh atë!?), si edhe shumë gjynahe të tjera ndaj Kosovës.

Nëse i adresohemi terminologjisë së sociologjisë së pushtetit (Weber/Bourdieu), kuptojmë se kjo deklaratë e pamatur e Edi Rames midis Prishtinës, përveç tjerash sinjalizon edhe një “promovim” absurd mes dy autoriteteve legjitime: atij juridik (prokuroria) dhe atij simbolik-politik (presidenca), ngase kur ai thotë se presidentja është “kërcënuar”, kjo i bie se ai me vetëdije e delegjitimon dhe e kërcënon qëllimisht veprimin e institucionit që ajo përfaqëson në Kosovë.

Shqiptarët e Kosovës fare nuk duhet të kenë asnjë iluzion kur është në pyetje “patriotizmi” i Edi Rames. Sepse domeni i angazhimit të tij nuk janë as Kosova e as UÇK-ja, por thjesht mbijetesa e modelit të të qeverisjes autokratike, e ala “hazbullah”, ku të gjithë i nënshtrohen ambicies, synimit dhe egos së tij për të kontrolluar çdo gjë! Andaj edhe defilimi i tij në Kosovë, si imperativ të vetëm që e kishte zhvendosjen e vëmendjes nga kalbëzimi i ngadalshëm i “demokracisë” shqiptare, hynë në funksion të shpresës se zhurma e shqetësimit për gjykimet drakonike në Hagë nga Gjykata Speciale, që ai vetë e kishte ndihmuar të instalohej, do ta prolongojë klithmën e drejtësisë që po troket aktualisht në dyert e SPAK-ut në Shqipëri.

Ndërkohë, çdo deklarim me tone dramatike, si kjo e “sekretit” për presidenten Vjosa Osmani ka për qëllim vetëm të krijojë konfuzitet dhe gjendje kinse alarmante, duke tentuar kështu të krijojë përshtypje e perceptim të gabuar për aftësinë e shtetit të Kosovës. Thënë edhe më thjesht: ai me prezencën e tij megalomane deshi vetën të degradojë institucionet e Kosovës. Duke i projektuar qëllimisht këto institucione si aulë ku prodhohen vetëm konfliktet tribale, e jo sish që dinë dhe munden të menaxhojnë me rregullat dhe vlerat demokratike, ai i fyeu ato!

Pra, ardhjen e tij në Prishtinë nuk e karakterizoj ajo se çfarë tha, por çfarë reperkusionesh “prodhoi” ajo që ai e tha para spektrit politik dhe publikut kosovar, i cili nuk është edhe aq naiv e harrestar sa të mos i kuptojë “kontributet” e tij në zbehjen e besimit të tyre në institucionet e ngritura me mund e gjak, madje, as “suflerizmin” dhe koketimet e hapëta të tij me “vëllain e tij binjak” Aleksander Vuçiq rreth “Ballkanit të Hapur”. Ku ai ra në ujdi që t’i krijojë favore hegjemoniste “botës serbe”.

/5pyetjet.al

spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
- Advertisement -spot_img

Më tepër

- Advertisement -spot_img

Lajmet e fundit