Policia e Tiranës ka goditur një bazë armatimi që dyshohet se shërbente për furnizimin e grupeve kriminale, duke sekuestruar një sasi të madhe armësh dhe municioni.
Gjatë operacionit “Picalla”, janë gjetur 9 armë zjarri përfshirë automatikë, pushkë dhe pistoletë, 1 armë gjahu, silenciator, pajisje të ngjashme me ato të Policisë, 900 fishekë luftarakë, si dhe fitila zjarrpërcjellës e kapsolla detonatore.
Në kuadër të operacionit, është arrestuar M. H., 66 vjeçe, ndërsa O. Q., 41 vjeç, është shpallur në kërkim. Autoritetet po vazhdojnë hetimet dhe intensifikojnë punën për kapjen e tij dhe dokumentimin e plotë të veprimtarisë kriminale. Materialet janë referuar Prokurorisë së Tiranës për veprime të mëtejshme.









