Kryetari i PD-së, Lulzim Basha në nisje të mbledhjes së grupit parlamentar ku pritet debat i fortë pas kërkesës së deputetëve për dorëheqjen e tij, i ka kërkuar qeverisë që të marrë menjëherë masa për krizën e çmimeve dhe ka shprehur mbështetjen për protestën e qytetarëve.
“Duke përdorur ato mekanizma që lehtësojnë qytetarët. kërkova eliminimin e taksës së qarkullimit dhe të tjera dhe paketën tonë uljen në 6% të TVSH-së për ushqimet.
Reagimi qytetar ka mbështetjen tonë të plotë dhe qeveria ka bërë veshin e shurdhër, por është tallur dhe është përgjigjur me dhunë policore.
PD është gjetur pranë protestuesve në komisariate dhe fytyra e vërtetë e një regjimi. Sot e vendos theksin te nevoja për t’u ardhur në ndihmë njerëzve që të paguajnë më pak.
Nuk mjaftojnë fjalët dhe premtimet boshe, por u duhet hedhur në veprim. E lehtë të bësh sikur zihesh me ata që i ke pasur në krah apo t’i hedhësh fajin Autoritetit të Konkurrencës.
Pavarësisht situatës së brendshme të PD-së, ne nuk e harrojmë detyrën tonë përpara njerëzve. Demokratët janë në krye të kësaj beteje.
Një nga propozimet për grupin është që të kërkojmë mocion me debat në parlament për të vendosur në presion qeverinë, për cështjet e tjera flasim pas mbledhjes së grupit” tha ai duke mos iu përgjigjur pyetjeve për situatën e brendshme në PD.