Në mjediset e Presidencës, këtë të martë u përurua libri “Kuran – me referenca nga Bibla: Një kuptim bashkëkohor” i autorëve amerikanë Dr. Safi Kaskari dhe Dr. David Hungerford.
Presidenti Ilir Meta ishte i pranishëm dhe gjatë fjalës së tij theksoi se Shqipëria është shembull në mbarë botën i harmonisë dhe bashkëjetesës fetare.
“Libri ‘Kurani me referenca nga Bibla’, ofron jo vetëm një përkthim të ri të Kuranit, por ai shoqërohet me referenca të gjera biblike, që arrijnë deri në 3 mijë prej tyre, duke ndihmuar kështu në përmbushjen e qëllimit që ka për të nxitur harmoni fetare. Ai qartëson keqkuptimet apo keqpërdorimet e vargjeve të Kuranit, duke ndërgjegjësuar të krishterët dhe myslimanët, për ngjashmëritë e shumta e të përbashkëta, që ekzistojnë në Kuran dhe në Bibël. Ky libër shërben si një reflektim, si për akademikët, ashtu edhe për kureshtarët, pavarësisht nga niveli arsimor, mosha, përvoja jetësore apo tradita e tyre fetare.
I ardhur tashmë në gjuhën shqipe, libri është një vlerë më shumë në fushën e letrave dhe studimeve në vendin tonë. Ky libër, jam i bindur se do mirëpritet dhe kuptohet fare mirë nga lexuesit shqiptarë, pasi vendi ynë është shembull në mbarë botën, i harmonisë dhe bashkëjetesës ndërfetare.
Harmonia jonë ndërfetare është arritur edhe fal udhëheqësve tonë të gjitha besimeve fetare në vendin tonë, të cilët i kanë interpretuar dhe predikuar shkrimet e shenjta në kuptimin e tyre fillestar e të vërtet, duke përçuar mesazhin e tyre të shenjtë, që është: Dashuria për Zotin dhe njëri-tjetrin, Paqja dhe Harmonia. Ky është edhe mesazhi i librit ‘Kurani me referenca nga Bibla’, në të cilin lexuesi dëshmon harmoninë midis librave të shenjtë, dhe dobinë e tyre për paqen dhe pajtimin, për bashkimin dhe afrimin me njëri-tjetrin, për ta bërë individin pra njeriun më të mirë, dhe të gjithë shoqërinë më të moralshme, më të bashkuar dhe më tolerante.”