Nesër në orën 19:00 Sali Berisha ka thirrur protestën kombëtare përpara Kryeministrisë kundër qeverisë së Edi Ramës për rritjen e çmimeve.
Në kushtet kur opozita e drejtuar nga ish-kryeministri po bën çdo gjë për të inkurajuar për pjesëmarrje sa më të lartë në protestë, Edi Rama nuk ka qëndruar këmbëkryq.
Me apo pa qëllim, gjashtë janë lëvizjet që çojnë ujë në këtë drejtim. Sot qeveria miratoi tre vendime.
Së pari në mëngjes Bordi i Transparencës ka vendosur të ulë çmimet e karburanteve. Një litër naftë tregtohet për 243 lekë nga 252 lekë që ishte nga vendimi i të martës. Çmimi i benzinës është ulur me 12 lekë.
Tre orë më pas u mblodh qeveria dhe vendosi që të miratonte dy vendime për rritjen e pagave për mjekët dhe mësuesit.
Jo i rastësishëm ishte edhe prononcimi për negociatat, që socialistët deklaruan se pikërisht ditën e protestës së Sali Berishës do të hapen, pra në 7 korrik.
Gjithashtu nuk mund të jetë e rastësishme edhe deklarata e Edi Ramës nga Holanda para protestës për rritjen e çmimeve se në Shqipëri janë zbuluar rezerva të mëdha nafte për të krijuar iluzione.
Në fund, sot Komiteti Teknik i Ekspertëve u mblodh për herë të parë pas shumë kohësh për t’u kujtuar qytetarëve rrezikun nga virusi dhe shmangien e grumbullimeve.