Ministri i Punëve të Jashtme i Serbisë, Ivica Daçiq, e ka akuzuar Perëndimin për “qëndrim jokorrekt” dhe se “po e detyron Serbinë në krahët e Rusisë, Kinës dhe të tjerëve”.
“Kë do ta telefonojë Vuçiq nesër kur rezoluta për gjenocidin në Srebrenicë të jetë në agjendën e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara. Ai dhe unë u ulëm vetëm dhe shikonim se kë do ta telefononim. Ju e dini se kush ishte i vetmi që u përgjigj atëherë – Lavrov”, tha Daçiq për TV Prva.
Ai tha se situata do të ishte ndryshe nëse Perëndimi do të kishte “mirëkuptim” për Serbinë.
I pyetur nëse Rusia do të ishte mirëkuptuese nëse Serbia vendos sanksione ndaj saj, ai u përgjigj me pyetje: “A mendoni se dikush në bashkësinë ndërkombëtare do t’ju falte për diçka?”.
Ai tha se është e vërtetë se Serbia është në mes të dy presioneve, “pritshmërive” nga Perëndimi dhe Rusia, që sipas tij nuk është për t’u habitur, sepse secili shikon interesat e veta.
“Rusia beson se Kosova është një precedent që mund të jetë i mirë për çdo territor separatist në botë, Perëndimi beson se është sui generis që vlen vetëm për Kosovën dhe askund tjetër në botë”, tha Daçiq.
Duke folur për qëndrimin e Perëndimit, ai tha se “nuk po kërkojmë më zgjidhje politike të problemit të Kosovës, por vetëm anesteziologjike, në mënyrë që Serbia ta gëlltisë më lehtë pavarësinë e Kosovës”.
“Është një qasje krejtësisht e gabuar dhe nuk mund të ketë përgjigje pozitive nga ana jonë. Prandaj Vuçiq e ka paraqitur në Këshillin e Sigurisë Kombëtare, ne do të bëjmë gjithçka për të vazhduar dialogun, por ata nuk na japin hapësirë dhe tema që zhvillojnë dialogun”, tha Daçiq./Express