Zëdhënësja e PD-së, Floriana Garo ka reaguar për ndihmën ekonomike që iu është hequr disa familjeve në Vaun e Dejës.
Për këtë ajo është shprehur se në një rast të paprecedent, kanë nisur largimin e familjeve në nevojë nga skema ekonomike, duke i zëvendësuar me militantë të Partisë Socialiste.
Ajo ka shtuar se dhjetëra familjeve do t’u duhet të kalojnë natën e ndërrimit të viteve edhe pa atë lëmoshë që u jepte shteti deri dje.
“Ky abuzim bëhet edhe më i rëndë nga fakti, se ndihma ekonomike u hiqet nevojtarëve për tu kaluar militantëve të Rilindjes, kalon nga duart e shtrira të të varfërve te duart e gjata të patronazhistëve.
Persona antinjerëzorë e antishqiptarë disa prej te cilëve prej vitesh jetojnë dhe punojnë jashtë vendit. Ky shpërblim u bëhet nga partia sepse janë pjesë e grupeve të manipulimit të votës, mercenarë që po përgatisin skemat e vjedhjes së zgjedhjeve më 14 Maj.
Kjo skemë është një kambanë alarmi për institucionet e drejtësisë, të cilët duhet të dënojnë personat përgjegjës të këtij abuzimi me ndihmën ekonomike për Bashkinë Vau Dejës, duke filluar nga drejtuesit e Drejtorisë Rajonale të Shërbimit Social në Shkodër, të cilët duhet të kontrollojnë çdo familje që përfiton ndihmë ekonomike,” është shprehur Garo.